Gjyqi ndaj gazetarit amerikan Evan Gershkovich do të zhvillohet me dyer të mbyllura

Gjyqi ndaj gazetarit amerikan Evan Gershkovich, i cili është burgosur prej më shumë se një viti në Rusi nën akuza për spiunazh do të zhvillohet me dyer të mbyllura, njoftoi gjykata të hënën.

Gershkovich akuzohet për “mbledhje të informacionit sekret” me urdhër të CIA-s për Uralvagonzavodin, një kompleks në rajonin e Sverdlovskit, që prodhon dhe riparon pajisje ushtarake.

Gazetari i Wall Street Journal u arrestua në Yekaterinburg, në 29 mars të vitit 2023, gjatë një udhëtimi pune për përgatitjen e një reportazhi dhe ndaj tij më pas u ngritën akuza për spiunazh për Shtetet e Bashkuara. Gazetari, punëdhënësi i tij dhe qeveria amerikane i kanë mohuar akuzat dhe Uashingtoni e ka vendosur zotin Gershovich në listën e shtetasve amerikan të arrestuar në mënyrë të padrejtë.

“Procesi do të zhvillohet me dyer të mbyllura”, njoftoi Gjykatën Rajonale e Sverdlovskit në qytetin e Yekaterinburgut

Seanca e parë e gjyqit do të zhvillohet në 26 qershor, njoftoi gjykata.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara ishin të shqetësuara që gjyqi do të mbahej me dyer të mbyllura.

“Ne jemi të shqetësuar për këtë. Ne do të përpiqemi të marrim pjesë në gjyq, nuk e di nëse kjo do të jetë e mundur”, tha ai.

Shtëpia e Bardhë i ka cilësuar akuzat “qesharake” dhe presidenti Joe Biden ka thënë se arrestimi i gazetarit Gershkovich është “krejtësisht i paligjshëm”. Presidenti Vladimir Putin ka thënë se ka pasur kontakte me Uashingtonin për mundësinë e shkëmbimit të mundshëm të zotit Gershkovich me një të burgosur rus, por se negociatat e tilla duhet të mbahen larg medias. 32 vjeçari Evan Gershkovich përballet me 20 vjet burg nëse shpallet fajtor. Gazeta Wall Street Journal tha se zoti Gershkovich po kryente detyrën kur u arrestua.

“Ky zhvillim i fundit dëshmon se do të zhvillohet një proces fals. Ne presim që të gjitha palët të punojnë për ta sjellë Evanin në shtëpi menjëherë. Të vepruarit në kohë është thelbësore”, tha gazeta.