Gençovska: Janë shqetësuese pamjet nga protestat në Shkup

Ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Teodora Gençovska ka komentuar zhvillimet e fundit në Shkup, konkretisht protestat kundër propozimit francez.

“Reagimi në Maqedoninë e Veriut ndaj propozimit evropian për zhbllokimin e integrimeve evropiane të vendit është mjaft shqetësues për një vend demokratik”, tha sot ministrja e Punëve të Jashtme Gençovska në një koment për zhvillimet e fundit në vend.

“T’u japim mundësinë që t’i shpjegojnë komunitetit të tyre se çfarë është kjo paketë”, tha Gençovska pas seancës së sotme të Qeverisë bullgare në dorëheqje.

Gençovska theksoi se sqarimi mund të bëhet edhe nga pala bullgare që të mos spekulohet me informacionet e publikuara në mediat në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Gençovskës, qëndrimi bullgar është i qartë dhe Ministria e Punëve të Jashtme në Bullgari respekton me përpikëri vendimin e Kuvendit Popullor Bullgar.

“Kolegët në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të kalojnë një proces sipas procedurave dhe të shqyrtojnë dokumentet përmes Qeverisë dhe Kuvendit të tyre”, shtoi Gençovska.

Propozimi francez aktualisht po has në rezistencë dhe mospajtueshmëri nga partitë opozitare maqedonase, të cilët tashmë disa ditë organizojnë edhe protesta.