Dy shtetas të Kosovës kanë mbetur të lënduar rëndë në aksidentin e trafikut që ndodhi mbrëmjen e djeshme në unazën e Shkupit, në afërsi të kryqëzimit Radishan.
Sipas informacioneve të MPB-së, aksidenti është raportuar më 27 nëntor, në orën 18:45, në autostradën „Nëna Terezë“. Në aksident janë përfshirë tri automjete: një „Opel“ me targa të Shkupit, i drejtuar nga një 31-vjeçar nga Shkupi, një „Audi“ me targa të Kosovës, i drejtuar nga një 59-vjeçar nga Kosova, si dhe një „Mercedes“ me targa të Shkupit, i drejtuar nga një 47-vjeçar nga Shkupi.
Lëndime të rënda kanë pësuar drejtuesi i „Audit“ dhe bashkudhëtarja e tij 63-vjeçare, të dy shtetas të Kosovës.
Ndërkohë, lëndime trupore kanë marrë edhe dy drejtuesit e tjerë të automjeteve, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor.
Të lënduarit janë dërguar në Qendrën Urgjente pranë Qendrës Klinike „Nënë Tereza“, në Spitalin „Shën Naumi i Ohrit“ dhe në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit „8 Shtatori“ në Shkup.
Në vendin e ngjarjes ka kryer ekspertizë një ekip i SPB-së Shkup. Shkaqet dhe rrethanat e aksidentit po hetohen.





