Goditi policin me veturë gjatë tentativës për t’u arratisur – në automjet kishte marihuanë, ndërsa në shtëpi hashash

Një 23-vjeçar nga Shkupi përballet me kallëzim penal për prodhim dhe shitje të paautorizuar të lëndëve narkotike, si dhe për sulm ndaj personit zyrtar, pasi gjatë një kontrolli policor goditi me veturë një polic.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 17 nëntor, në rrugën „Bllagoja Stefkovski“ në Shkup, policia ndaloi një veturë të tipit „Seat Leon“, të drejtuar nga T.A. Gjatë kontrollit në automjet u gjet dhe u konfiskua marihuanë.

Më pas, i dyshuari ndezi veturën dhe goditi një punonjës policie, ndërsa më vonë edhe një automjet të parkuar.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, policia gjeti dhe konfiskoi edhe hashash.

SPB Shkup ka ngritur kallëzim penal ndaj 23-vjeçarit për të dyja veprat penale.