Elmi Aziri: Ali Ahmeti idealizon satrapët si Enver Hoxha (Video)

“Mendoj se nuk është në rregull t’i komentojmë përcaktimet ideologjike, idealizimet ideologjike, idealizimet e satrapëve të ndryshëm. Mendoj që kemi shumë çështje përpara dhe jam i bindur që në asnjë mënyrë nuk do të duhet t’i riciklojmë modelet e të kaluarës por do të duhet të ndërtojmë një model që zgjidh problemet e së ardhmes”. Kështu është shprehur deputeti Elmi Aziri, i pyetur për komentet që bëri kreu i BDI-së Ali Ahmeti një ditë më parë lidhur me diktatorin shqiptar Enver Hoxha.

Në një fjalim që mbajti mbrëmë për demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se në atë kohë respektin për diktatorin Enver Hoxha ishte aq i madh, saqë të gjithë ngriteshin në këmbë kur përmendej emri i tij.

“Në atë kohë ka pasur dy rrugë. Ja ta duash Enver Hoxhën, ja Titon. Ne e donim Enver Hoxhën dhe këtë duhet ta them, pse mos ta them?…Pa e përmendur emrin e Enver Hoxhës, një mijë veta në sallë, s’çoheshte askush në këmbë. Duheshte ta përmendësh emrin e Enver Hoxhës për t’u ngritur në këmbë”, tha mes tjerash Ali Ahmeti.

Ka reaguar edhe anëtari i kryesisë së Alternativës, Zeqirija Ibrahimi. Sipas tij, Enver Hoxha ka qënë kгiminel, antishqiptar dhe antifetar psikopat. Ai ironizon sërish me titullin “Doctor Honoris Causa”, të cilin Ahmeti e mori para disa muajsh nga Universiteti i Tetovës. “Pasi që mbrëmë Doctor Honoris Causa mburrej me Enver Hoxhën dhe një sallë e tërë i duartrokiste, pa dashur të komentoj më shumë, po jua sjell disa fragmente që nëse i lexoni, e keni të qartë se sa kishte të drejtë Hafiz Ali Korça kur më 1925 e botoi librin “Bolshevizma a çkatërimi i njerëzimit”. Fjalët e Hafiz i Aliut i dëshmon libri i Blendi Fevziut gjysmë shekulli më vonë, por megjithatë “Enveri ynë” midis Shkupit më 2021 ende mburret se ka qenë enverist. Siç do e shihni nga fragmentet e Fevziut, Enver Hoxha ka qenë kriminel, antishqiptar dhe antifetar psikopat”, ka shkruar Zeqirija Ibrahimi.