Çështja shqiptare i bashkoi udhëheqësit maqedon

Muhamer Pajaziti

Lideri i opozitës, Hristian Mickoski paska bërë një bisedë telefonike me presidentin e vendit, Stevo Pendarovski. Pas një kohe të gjatë si duket po vendoset komunikimi mes opozitës maqedone dhe institucionit të presidentit të vendit.

Mickovski kohë më parë u takua edhe me kryeministrin Zaev, në një takim me dyer të mbyllura, ku u morën vesh që të shtyhet procesi i regjistrimit. Një Zot e dinë se çfarë tjetër kanë biseduar, por dihet se tema janë shqiptarët etnik këtu.
Pasojat për shqiptarët nga ky takim do të dalin hap pas hapi.

Por, një gjë është e çuditshme, liderët maqedonas nuk u bënë bashkë kur duhet ti jepej epilogu kontestit disa vjecar me grekët. Nuk u bënë bashkë as në konstestin me bullgarët.

Bëhen bashkë kur janë në pyetje të drejtat legjitime të shqiptarëve, bashkëqytetarëve të tyre që nuk konstestojnë asgjë në këtë shtet, por vetëm kërkojnë barazi dhe të drejta të plota, kërkesa normale për shtete demokratike dhe që synojnë integrimin në familjen evropiane.
Është absurde që liderishipi maqedon nuk lejon regjistrimin e popullsisë për njëzet vite me radhë, shkaku i shqiptarëve. Në këtë drejtim jemi mbrapa edhe Somalisë.

Është absurde që shqiptarët e rritur dhe të shkolluar në këtë vend të mos kenë nënshtetësi.

Është e turpshme që ndaj shqiptarëve akoma zbatohet gjyqësi selektive përmes proceseve të montuara.

Është poshtërsi që investimet dhe dora e shtetit duken fare pak në vendbanimet shqiptare.

Është marri që akoma nuk kemi një ligj për gjuhën shqipe që do vlente në gjithë territorin e vendit.

Ka edhe shumë anomali dhe probleme, por kur janë në pyetje shqiptarët, liderët maqedonas bëhen bashkë, për ta vazhduar shtypjen dhe diskriminimit ndaj tyre.

Në anën tjetër, partitë politike shqiptare janë në kërkim të formulave dhe matematikave se si të dalin fitues në zgjedhjet lokale.
Në këto kombinatorika, nuk i përjashtojnë edhe partitë politike maqedonase dhe liderët e lartë përmendur për të korrur një rezultat më të mirë.