Idriz MORINA
Askush sot nuk tha se Gjykata speciale duhet t’i dënojë vrasësit e tij!
Është bërë e habitshme se si në përvjetorët e disa personaliteteve gjithnjë e më pak kërkohet llogari nga drejtësia, pse nuk u zbardh dhe kur do të zbardhen vrasjet politike!
Sot u përkujtuat Xhema, atentati që çoi në vdekjen e menjëhershme të këshilltarit e mikut të Rugovës, publicistit e shkrimtarit, pasi u godit tri herë me plumba, ndërsa po i bënte shkallët e fundit për t’u futur në ndërtesën ku jetonte, dhe i kishte kaluar ditët e tmerrshme të rrethimit në luftë, duke u ngushëlluar çdo mëngjes se kishte gdhirë me të gjithë familjen pa u vrarë askush nga serbët.
Këtë ankth lufte që e kaloi e kishte bërë edhe më konsekuent, që kushdo që po shkilte lirinë dhe po kërkonte vrasjen e shqiptarëve për qëllime politike, ta demaskonte.
Shkrimi i tij i fundit ishte një testament, se kush ishin vrasësit e lirisë në Kosovë, ata që Rugova më vonë do t’i quante si atentator të lirisë e Pavarësisë!
Po nga deklarimet publike derisa disa kanë guximin ta përmendin si vrasje politike, por pa kërkuar zbardhjen e saj nga Gjykata speciale, dikush tjetër, si Përparim Rama, që po pretendon ta merrë kreun e LDK-së, as nuk e përmendi atentatin dhe as drejtësinë e munguar.
Kryetari aktual u mjaftua me ankesë për atentat dhe padrejtësi, por pa asnjë kërkesë për llogaridhënie, as nga adresa e dikurshme SHIK-u!
Ndërsa, ata që reagonin edhe kinse për mbrojtje të gazetarëve si Hoti dhe të tjerë, sot heshtën sikur të mos kishte ndodhur asgjë!
Kush ishte Xhema, që këto “shkëlqesira” të reagojnë, aq më tepër që e kanë hallin e shefave në Hagë, ish-presidentit dhe ish-kreut të SHIK-ut, se “të tjerat rregullohen vetë”, veç le të kthehen ata në Kosovë, patën apo nuk patën faj për ngjarjet. Aq janë të lidhur ata me fatin e LDK-së dhe të Kosovës!
Pat edhe zëra hipokrit si Vjosa Osmani, që sot e kujtoi Xhemën, e ndërsa sa ishte presidente dilte në protesta kundër Gjykatës Speciale, për ta vrarë shpresën e fundit për zbardhjen e vrasjeve politike.
Edhe kryeministri Albin Kurti që dikur e akuzonte SHIK-un me të gjithë partinë e tij, tashmë e kanë zhdukur nga retorika dhe madje u sollën si heronj duke miratuar Ligjin që çonte në zhbërjen e speciale, pasi që e zhbënte Dhomën e Gjykatës Supreme të speciales, dhe do t’ia mundësonte ankimin në Gjykatën Supreme në Kosovë, pas vendimitë të Apelit etj.
Albin Kurti ka refuzuar t’i dënonte vrasjet politike dhe dhunën politike ndaj udhëheqësve të institucioneve të Republikës së Kosovës gjatë luftës, por edhe pas luftës për shumë vite, derisa ajo vazhdonte të ndodhte.
Tashmë sërish ka marrë përsipër, pasi Bashkimi Evropian ishte kategorik kundër Ligjit të miratuar për specialen, që së bashku me PDK-në të hartojë një ligj të ri, por që sikurse edhe ai paraprak, që parandalon zbardhjen e vrasjeve politike, edhe brenda mandatit të Gjykatës speciale, që është i kufizuar deri më 31 dhjetor 2000.
Vrasja e Xhemajl Mustafës, bie pikërisht brenda mandatit të Gjykatës Speciale, dhe deri më sot nuk ka asnjë informacion publik nëse kjo gjykatë u mor me zbardhjen e këtij rasti dhe ndëshkimin e drejtëpërdrejtë të porositësve dhe dorasve.
Ishte protesta e fundit, e dhunshme, dhe madje si u dëshmua më vonë, që protestuesit kishin bërë gati edhe bombat, e cila dëshmoi se askush nga familjet e viktimave të vrasjeve politike në Kosovë, të mos shpresojë se nëse zhbëhet gjykata speciale, dikush mund t’i dënojë në Kosovë ata që dhanë urdhëra dhe planifikuan vrasjet politike!
Të gjithë janë shushatur. Vetëm pak ish miq, dhe pak njerëz që nuk pushojmë së kërkuari drejtësi për vrasjet politike, për dëmin ndaj atdheut e të tjera, e që mbase herëherë na shohin si paradoksal se pse po kërkojmë llogari, derisa të tjerët kanë hequr dorë pa e shpallur dorëzimin!
Disa prej familjarëve kanë pasur guximin të dëshmojnë në Hagë, publikisht për krimet ndaj tyre dhe anëtarëve të familjes dhe për urdhërat për ekzekutim.
Por, beteja është shumëfish më e vështirë kur njerëzit tek të cilët drejtësia mbështetet, tërhiqen nga kërkimi i llogaridhënies.
Nuk përjashtohet edhe heshtja e shumë familjeve që kanë viktima të vrasjeve politike. Madje disa familje nuk kemi gjurmë se kanë reagur ndonjëherë publikisht për të kërkuar drejtësi apo për të shprehur ndonjë akuzë, ndërsa disa të tjera e kanë shuar reagimin e tyre me kalimin e viteve!
E dikush që u mundua me dekada, ndonjëherë sulmohet pamëshirshëm, por kryesisht tinëzisht edhe nga njerëz të LDK-së.
Sikurse disa në LDK, që për disa raste të bujshme vrasjesh, që për shumë vite janë trajtuar si vrasje politike, i kanë vënë kapak gjërave me “hetimin” e tyre, se janë vrarë nga Serbia, dhe pikë!
LDK-ja asnjëherë nuk kërkoi mbrojtje për familjet e viktimave të vrasjeve politike, që nga vdekja e Rugovës. Asnjëherë nuk kërkoi mbështetje juridike as nuk ofroi që këto familje të mund të arrijnë tek drejtësia për më të dashurit e tyre.
Kosova këto ditë po e diskuton sërish një ligj të ri për Gjykatën Speciale. Qëllimi i atyre që e mbështesin këtë projekt të ri është shpëtimi me çdo kusht nga ndëshkimi i atyre që projektuan vrasjet politike!



