Enver ROBELlI
Do të ishte më mirë të kishin heshtur sesa të reagonin. Kështu mund të përmblidhej reagimi i Lëvizjes Studentore, e cila shprehu mospajtim me projekt-rezolutën për Vukovarin, për të cilën këtë javë do të votohet në Parlamentin Evropian. Po këta studentë heshtën për 35-vjetorin e pushtimit të Vukovarit dhe të krimeve të kryera ndaj banorëve të tij, ashtu siç heshtën para disa muajsh edhe për varrimin me nderime shtetërore të kriminelit Ratko Mlladiq. E pastaj, pikërisht për çështjen e Vukovarit, shënuan autogol.
Reagimi i tyre nuk është gjë tjetër veçse relativizim i agresionit ndaj qytetit dhe i krimeve të kryera nga Armata Jugosllave, formacionet paraushtarake serbe, si dhe aparati policor, informativ dhe mediatik i Slobodan Millosheviqit. Po ashtu, nuk është aq e rëndësishme se kush e propozoi rezolutën; shumë më e rëndësishme është se në Beogradin politik prej 35 vjetësh refuzohet me këmbëngulje të diskutohet përgjegjësia e regjimit të Millosheviqit dhe e udhëheqjes së atëhershme ushtarake.
Duke e mbështetur rezolutën, Lëvizja Studentore do të tregonte pjekurinë e brezit të ri që synon të qeverisë Serbinë dhe do të hidhte poshtë mitomaninë nacionaliste me të cilën shoqëria serbe edukohet prej dekadash. Meqë kjo nuk ndodhi, është e arsyeshme të pyesim nëse dhe kur do të shfaqet në krye të Serbisë dikush që do të ketë guximin të pranojë se regjimi i Millosheviqit mban përgjegjësinë kryesore për shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë dhe se lufta në Kroaci nuk filloi më 1995, por më 1991.
Kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton shmangien e diskutimit për viktimat serbe. Rezoluta përmend edhe çështjen e personave të zhdukur, zgjidhja përfundimtare e së cilës është në interes si të Kroacisë, ashtu edhe të Serbisë.



