Bullgaria nuk lëshon pe: “Në BE nuk na pyesin më për Maqedoninë, qëndrimi i Sofjes është i qartë dhe i kuptuar”

Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova Çamova, deklaroi se partnerët evropianë gjithnjë e më rrallë e hapin temën e Maqedonisë, gjë që, sipas saj, tregon se qëndrimi bullgar për integrimin evropian të vendit është tashmë i njohur dhe i kuptuar në Bashkimin Evropian.

Ajo tha se, kur kolegët e saj nga BE-ja diskutojnë për Maqedoninë, pyetjet kryesisht lidhen me përmbushjen e obligimeve të dakorduara më parë mes dy vendeve.

Çamova përsëriti se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbeten një nga kushtet për përparimin e Maqedonisë drejt BE-së, duke theksuar se i njëjti parim duhet të vlejë edhe për Serbinë dhe vendet e tjera që synojnë anëtarësimin.

Ministrja bullgare nënvizoi se Sofja nuk mbështet anëtarësimin pa kushte të asnjë shteti në BE dhe se ky qëndrim do të mbetet i pandryshuar, pavarësisht se cila garniturë politike do të jetë në pushtet në Bullgari.