Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani në emisionin “Impakt” në TV Shenja ka deklaruar se problemi me mungesën e hapësirave për paralelet në gjuhën shqipe në shkollën “Njegosh” në Idrizovë të komunës së Gazi Babës, pritet të zgjidhet përmes zgjerimit të kapaciteteve të objektit shkollor.
Sulejmani tha se MASH ka reaguar menjëherë pasi është konstatuar mungesa e hapësirave, ndërsa aktualisht në shkollë janë duke u zhvilluar punime për ndërtimin e katër mësonjëtoreve të reja.
“Nga informatat që kam, arsyeja se pse nxënësit nuk kanë mundur t’i vazhdojnë mësimet në objektin e njëjtë, është për shkak të mungesës së hapësirave. Ne e kemi konstatuar këtë gjendje dhe menjëherë kemi reaguar si Ministri e Arsimit, ku vetëm se janë duke u zhvilluar punime në shkollën ‘Njegosh’ për ndërtimin e 4 mësonjëtoreve”, deklaroi Sulejmani.
Sipas tij, zgjerimi i objektit do të krijojë kushtet që nxënësit e paraleleve shqipe të mos detyrohen të udhëtojnë në lokacione të tjera, por mësimin ta ndjekin në shkollën “Njegosh”.
“Do të shtohen hapësirat dhe mendoj se me përmbylljen e problemit hapësinor, do të krijohen kushte që nxënësit e këtyre klasave të mos detyrohen më të udhëtojnë, por procesin edukativo-arsimor ta ndjekin në shkollën ‘Njegosh’”, theksoi Sulejmani.





