Ndezja e mbeturinave vazhdon të jetë një fenomen shqetësues në rajonin e Pollogut dhe jo vetëm. Kryesisht, fala ju vihet mbeturinave nëpër deponitë e egra dhe ilegale që janë të shumta në numër në territorin e Pollogut. Së fundmi, ndezja e deponisë ka ndodhur në fshatin Sllatinë të Tetovës. Me këtë rast ka reaguar bashkësia lokale e fshatit Sllatinë e cila ka dënuar një akt të tillë duke e quajtur krim kundër natyrës.
“Zjarri nuk është lojë.Këto prona nuk mertojnë për t’u shkatërruar. Çdo pemë që digjet, çdo kafshë që humbet dhe çdo hektar tokë që kthehet në hi është një humbje për të gjithë ne.Zjarret që shkaktohen nga pakujdesia janë tragjike, por ato që shkaktohen me dashje janë krim ndaj natyrës, ndaj njerëzve dhe ndaj së ardhmes sonë.Zjarret e qëllimshme duhet dënuar me ligj” thonë nga Bashkësia Lokale e fshatit Sllatinë.
Më tej nga Bashkësia Lokale e fshatit Sllatinë kërkojnë edhe ndëshkimin e autorëve të këtyre zjarreve.
“Nuk mjafton vetëm të dënojmë përhapjen e zjarrit pasi ka ndodhur. Duhet parandalim, përgjegjësi dhe ndëshkim për këdo që i vë flakën natyrës me vetëdije.Natyra na fal shumë, por nuk mund të na falë përgjithmonë. Ta mbrojmë sot, që nesër fëmijët tanë të mos njohin pyjet vetëm nga fotografitë”, apelojnë nga Bashkësia Lokale e fshatit Sllatinë.
Ndryshe, vite me rradhë, deponitë ilegale ndizen qëllimisht nga persona të pandërgjegjshëm duke shkaktuar dëme të mëdha edhe ndaj natyrës, pronave të mbjellura por edhe ndotje të ambientit jetësor. Deri më tani, ende askush nuk është vënë para drejtësisë apo përgjegjësisë për zjarret në deponitë në rajonin e Pollogut. Rikujtojmë se gjatë verës, rajoni i komunës së Tearcës ishte më I goditur nga zjarret, kryesisht zjarret përfshinë prona bujqësore në fushat e Tearcës dhe Përshefcës. Falë intervenimeve të zjarrfikësve të Tearcës këto zjarre ishin lokalizuar në kohë.





