Qarkorja në Tetovë: Banorët dhe bujqit në hall me zvarritjen e punimeve

Punimet për ndërtimin e qarkores Trebosh – Neproshten vazhdojnë të jenë pengesë për banorët e Treboshit dhe të gjithë fshatrave tjerë që shfrytëzojnë këtë rrugë. Ata thonë se punët janë duke u stërzgjatur, ndërsa mosndërtimi në kohë i kanaleve të ujitjes ka bërë që gjatë reshjeve tokat e tyre të përmbyten nga uji me çka edhe u janë dëmtuar të mbjellat.

Mos përfundimi në kohë i kësaj rruge po u pengon shumë edhe bujqve të cilët thonë se menzi mbërijnë në fushat e tyre. Bujqit që shfrytëzojnë tokat në këtë segment të rrugës thonë se kanali i ujitjes nuk është bërë ashtu siç duhet dhe ata kanë frikë se një pjesë e tokave do të mbetet pa ujitje.

“Duhet të bëhen disa kanale që të ujitet kjo tokë, se këtu diku ka lënë e diku jo. Nuk është ai plani që ka qenë para 50 vjetëve. Plus, gjysma e fushës do të mbetet pa ujitje sepse diku kanë lënë gypa e diku jo. Çfarë do të bëhet nuk e di askush, atë e dinë vetëm inxhinierët që e kanë marrë ta bëjnë.”

“Rruga në këtë gjendje është prej tre vitesh. Si t’ia bëjmë? I dëmtojmë veturat, jemi duke shkuar çdo ditë te mekaniku. Këta punët i çojnë si duan vetë; mundohen të punojnë, po i hapin të gjitha punët dhe i lënë në gjysmë. Atje e thyen urën dhe nuk të lënë të hysh, këtu urën tek kanali e lanë në gjysmë, nuk janë duke e rregulluar që të punohet diçka.”

“As nuk mund të ujisin, edhe veturat i shkatërrojmë. E kanë bërë fushën katastrofë, kjo rrugë është për turp. U kishim thënë që politikisht mos të bëjnë asgjë, se çfarë ka rregulluar politika e ka prishur krejt.”

Ndërkaq, Tahir Tairi, zëvendësdrejtor i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore thotë se punët janë kryer rreth 75%, ndërsa në tre kilometra është shtruar edhe një pjesë me asfalt. Sipas tij, nëse nuk del ndonjë pengesë, punimet do të duhet të përfundojnë në fund të muajit qershor.

Grafikë – Tahir Tairi, zv. drejtor në Rrugët Shtetërore:

“Aktualisht zhvillohen aktivitete përgjatë gjithë trasesë: është duke u punuar në shtresat përfundimtare të mbushjes me tampon në afërsi të mbikalimit, si dhe në realizimin e objekteve të quajtura kanale nënrrugore. Gjithashtu, punimet kryhen edhe në rrethrrotullimin e Neproshtenit, po ashtu po kryhen punët përfundimtare në përroin e Porojit. Paralelisht me punimet në trasenë kryesore, po punohet edhe në rrugët paralele të trasesë, të ashtuquajturat rrugë bujqësore (rrugë për mjetet me traktor).”Është vendosur shtresa e parë e asfaltit në një gjatësi prej rreth 3 km. Progresi i punëve është diku te 75%, tha Tahir Tahiri, zëvendës drejtor në Rrugët Shtetërore”

Afati i punimeve asokohe u tha se ishte 15 muaj dhe pritej që në maj 2025 të lëshohej në përdorim. Ndërkohë, që kjo qarkore të jetë funksionale, duhet të ndërtohet qarkorja që lidh autostradën me fshatin Trebosh, gjë që do të mundësonte që fshatrat e komunave të Tearcës dhe Jegunocit të mos hyjnë në qytet për t’u lidhur me autostradën Tetovë – Shkup. TV KOHA