Krerët e bashkësive fetarë në Maqedoni dënojnë tentativën për djegien e sinagogës në Shkup

Tentativa për të djegur objektin e Komunitetit Hebraik dhe sinagogën “Bet Jakov” në Shkup përbën një goditje ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës që prej shekujsh kultivohen në tokën e Maqedonisë dhe mbi të cilat bazohet shoqëria jonë. Çdo cenim i një vendi të shenjtë të tjetrit, pavarësisht cilës bashkësie fetare i përket, nënkupton shkelje të vlerave themelore të respektit, lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Mosrespektimi i shenjtërisë së tjetrit është edhe mosrespektim i shenjtërisë së vetvetes, thuhet në reagimin e Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Fetare dhe të krerëve të pesë bashkësive fetare në vend, i cili u lexua sot në konferencë për shtyp nga drejtoresha e Komisionit, Olivera Trajkovska.

Ajo tha se ata e dënojnë ngjarjen e pakëndshme që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të 12 prillit dhe shprehin solidaritet dhe mbështetje për Komunitetin Hebraik.

“Prandaj, në frymën e bashkëpunimit ndërfetar dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, bëjmë thirrje që të gjithë qytetarët të tregojmë përgjegjësi, arsye dhe virtyt dhe të mbetemi ruajtës të bashkëjetesës. Respekti i ndërsjellë është ndër vlerat më të mëdha që kemi, ndaj duhet ta ruajmë dhe ta lëmë si amanet për brezat e ardhshëm”, shtoi Trajkovska.

Në konferencë ishin të pranishëm kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase – kryepeshkopi Stefan, peshkopi i Kishës Katolike, Kiro Stojanov, kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Reis ul Ulema Shaqir Fetahu, kryetari i Komunitetit Hebraik Pepo Levi dhe kreu i Kishës Ungjillore-Metodiste, pastori Marjan Dimov.

Kryetari i Komunitetit Hebraik, Pepo Levi, theksoi se reagimi i tyre është njëkohësisht dënim dhe shenjë mbështetjeje për komunitetin hebraik, sepse në Maqedoni bashkësitë fetare kultivojnë bashkëpunim afatgjatë, dialog konstruktiv dhe mbështetje të ndërsjellë në çdo fushë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai tha se nuk ka elemente të reja lidhur me ngjarjen dhe nuk insistojnë të merren për hir të hetimit, por është e rëndësishme që autorët të kapen. Megjithatë, tha ai, më thelbësore është të nxirret mësim nga kjo.

“Ky është një eksces që nuk ka ndodhur që nga viti 1943, kur Hitleri dhe ushtria e tij i dërguan 7.144 hebrenjtë tanë në Treblinkë. Prej andej askush nuk u kthye. Asnjëherë nuk është djegur sinagogë. Gjëra të tilla nuk kanë ndodhur në Maqedoni. Shpresojmë që nuk do të lejojmë që konfliktet dhe ndikimet e jashtme të derdhen në Maqedoninë tonë, ku jetojmë në paqe dhe bashkëjetesë”, tha Levi.

Ai shtoi se nuk e dinë nëse bëhet fjalë për terroristë apo huliganë, por përmendi se grupi ISIS ka pasur thirrje që gjatë Pashkëve të digjen objektet fetare të krishtera dhe hebraike.

Reisi i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu, tha se në kuadër të BFI-së dhe mes besimtarëve myslimanë nuk ka asnjë problem lidhur me bashkësitë fetare apo besimtarët.

“Rinia jonë ka respekt të madh për të gjitha bashkësitë fetare dhe besimtarët. Kjo shihet në të gjitha vendet ku jetojmë së bashku pa probleme. Prandaj, me përgjegjësi të plotë them se bashkëjetesa në Maqedoni po zhvillohet mirë dhe nuk ka asnjë problem. Bashkësitë fetare së bashku me Komisionin kujdesen për zhvillimin e bashkëjetesës dhe përpiqemi që toleranca të jetë në nivelin më të lartë” , tha ai.

Ai shtoi se incidente të tilla nuk burojnë nga asnjë fe në Maqedoni dhe se institucionet duhet t’i gjejnë autorët dhe të veprojnë ndaj tyre./TV21/