Një i mitur është sulmuar fizikisht nga disa bashkëmoshatarë në oborrin e një shkolle fillore në zonën e Bit-Pazarit, në Shkup. Incidenti është filmuar me telefon nga një tjetër i mitur, ndërsa pamjet më pas janë publikuar në rrjetet sociale.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ngjarja ka ndodhur më 9 tetor, në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa është denoncuar në polici më 15 tetor.
Rastin e ka paraqitur D.L. (43), duke njoftuar se fëmija ishte sulmuar nga disa të mitur, njërin prej të cilëve e njihte.
Policia nuk ka dhënë informacione nëse viktima ka pësuar lëndime, as në cilën platformë është publikuar videoja.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.





