Eurodeputetët votojnë rekomandimet për zgjerimin

Komisioni i jashtëm i Parlamentit Evropian votoi me shumicë dërrmuese raportin me rekomandimet e këtij institucioni për zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, në një takim të zhvilluar nëpërmjet video-konferencës.

Votimi i sotëm vjen pas ndryshimit të metodologjisë së zgjerimit në shkurt dhe pas dhënies së dritës jeshile nga Këshilli më pas për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Raporti, i hartuar nga koordinatori Tonino Picula, nënvizon suksesin e politikës së zgjerimit në shtrirjen e demokracisë, paqes dhe prosperitetit në të gjithë Evropën, duke e kthyer perspektivën për anëtarësim në nxitje për reforma në të gjithë vendet e Ballkanit.

Në rekomandimet e tyre, eurodeputetët këmbëngulin që BE të përcakojë masa të qarta dhe konsistente për vendet kandidate, të vijojë mbështetjen dhe të përmirësojë matjen e progresit gjatë procesit.

Një tjetër theks vihet tek nevoja e përmirësimit të koherencës mes procesit të zgjerimit dhe zhvillimeve politike brenda BE-së.

Ndër të tjera, kërkohet që vendet kandidate të kenë qasje graduale në programet e BE-së para anëtarësimit, si dhe që këto vende të marrin pjesë në Konferencën për të ardhmen e Evropës.

Një nga reagimet e para pas votës në Komisionin e Jashtëm ishte ai i raportuesit për Maqedoninë e Veriut, Ilhan Kyuchyuk, i cili deklaroi se rekomandimet e këtij raporti dërgojnë një sinjal të qartë mbështetjeje për perspektivën evropiane të vendeve të rajonit, veçanërisht në kohën kur Evropa dhe bota përballen me kufizimet për shkak të pandemisë Covid-19.

Raporti i Parlamentit Evropian përgatitet në kuadër të samitit të Zagrebit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, i cili tashmë pritet të mbahet nëpërmjet një video-konference para përfundimit të presidencës kroate.

Për miratimin përfundimtar ky raport duhet të votohet edhe në seancë plenare nga Parlamenti Evropian. /Euronews/