Qeveria e drejtuar nga LSDM në llogaritë e 19.050 prodhuesve të duhanit ka paguar mbi 30 milionë euro subvencione për duhanin e prodhuar dhe të dorëzuar për vitin 2019.
“Duhani është dega jonë strategjike me orientim drejt eksportit dhe në dy vitet e gjysmë të fundit ka regjistruar prodhim stabil dhe të qëndrueshëm. Kjo për shkak të politikave të LSDM-së për këtë degë, kryesisht të modelit të ri për subvencione më të larta për duhanin, sipas të cilit për klasën e parë subvencioni është 80 denarë për kilogram, për të dytin 70 denarë dhe për klasën e tretë dhe klasat shtesë 60 denarë për kilogram”, qëndron në kumtesë.
Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të krijuar nga koronavirusi dhe kontributi në mbrojtjen e shëndetit publik, tërheqja e subvencioneve të duhanit, siç njoftojnë nga LSDM do të bëhet në katër ditë rresht duke filluar nga 21 prilli, e martë, deri më 24 prill, e premte, në mënyrë që të mos krijohen turma shtesë në të gjitha filialet e bankave në të gjithë Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Për secilën nga këto katër ditë, është bërë një orar për pagesë sipas rendit alfabetik të mbiemrave të personave fizikë, prodhues të duhanit dhe personave juridikë.
LSDM njofton se kultivuesit e duhanit që duan t’i tërheqin paratë e gatshme nga bankomatet, do të mund ta bëjnë këtë të hënën më 20 prill, nga ora 16 deri në 23 dhe nga e marta deri të premten në orën 18:00, edhe krahas orës policore, për çka Ministria e Brendshme do të ketë listën sipas rendit alfabetik.