“Ndërhyrjet e huaja dhe manipulimet me informacione (FIMI) nuk shfaqen gjithmonë si një histori e rreme apo publikim i gabuar, por funksionojnë përmes modeleve të caktuara, duke e rritur mosbesimin dhe duke i shfrytëzuar ndarjet në shoqëri. Dezinformatat e dobësojnë besimin në institucione, media dhe proceset demokratike, ndërsa ndonjëherë qëllimi nuk është t’i bindin qytetarët për një narrativë të caktuar, por t’i bëjnë të besojnë se asgjë nuk është e vërtetë, se askujt nuk mund t’i besohet dhe se pjesëmarrja nuk është e rëndësishme, gjë që është e rrezikshme për çdo demokraci, e sidomos për Maqedoninë e Veriut”, theksoi Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Metamorphosis në ngjarjen “Forcimi i qëndrueshmërisë ndaj manipulimeve informative zgjedhore”, transmeton Portalb.mk.
Në kuadër të ngjarjes morën pjesë përfaqësues të të gjitha palëve të interesuara, përfshirë Qeverinë përmes zëdhënëses Marija Miteva, Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve përmes kryetarit Bojan Mariçiq dhe Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele përmes Sasho Bogdanovskit. Mari Sofi Peir nga Drejtoria për Zgjerim e Komisionit Evropian pati adresim online, ndërsa të pranishëm ishin edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare si Rrjeti Evropian për Standardet në Verifikimin e Fakteve, Aleanca Evropiane për Besim, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe sektorit civil nga Maqedonia dhe rajoni.

Në hapjen solemne të ngjarjes, të organizuar nga Fondacioni “Metamorphosis” dhe organizata ndërkombëtare “International IDEA”, folës ishin Mikael Aterog nga Ambasada e Suedisë, ambasadorja e Lituanisë Vilma Dambrauskiene, zëdhënësja e Qeverisë Marija Miteva, Kushbu Agraval nga International IDEA dhe Bardhyl Jashari.
Jashari theksoi se bashkimi për dialog strategjik kundër FIMI-t është i rëndësishëm sepse bëhet fjalë për mbrojtjen e demokracisë, zgjedhjeve të lira dhe të drejtës së qytetarëve për të marrë vendime bazuar në fakte dhe jo manipulime. Ai tha se demokracia nuk mbrohet vetëm me fjalë, por kërkon përgjegjësi, koordinim, burime dhe veprim konkret.
“Në Maqedoni, rajon, BE dhe globalisht tashmë ekzistojnë shumë dëshmi, hulumtime dhe analiza se si ndërhyrjet e huaja, manipulimet informative, dezinformatat dhe ndikimi i koordinuar i dëmshëm e gërryejnë besimin demokratik. Zgjedhjet janë momente veçanërisht të ndjeshme sepse qytetarët vendosin për të ardhmen, ndërsa pikërisht atëherë hapësira informative bëhet shumë e ekspozuar ndaj manipulimeve dhe ndikimeve të jashtme”, tha Jashari.
Sipas anketës së fundit të Metamorphosis mbi këtë temë, 65 përqind e qytetarëve e njohin seriozitetin e problemit të dezinformatave, ndërsa 74 përqind kërkojnë veprime konkrete dhe presin që institucionet të përgjigjen me zgjidhje, burime, sisteme funksionale dhe komunikim të qartë, të shpejtë dhe të përgjegjshëm.
Vendet kandidate, përfshirë Maqedoninë, duhet të përfshihen në Mburojën Evropiane Demokratike dhe të marrin rol aktiv në forcimin e rezistencës demokratike evropiane, duke kontribuar edhe me përvojat e tyre, ndërsa për këtë duhet të lëvizin përtej deklaratave të përgjithshme.
“Ballafaqimi me FIMI nuk është kontroll i fjalës, kufizim i debatit, kritikës apo konkurrencës politike, por mbrojtje e debatit të hapur dhe sigurim që mashtrimi, manipulimi dhe ndërhyrjet e koordinuara të mos e minojnë aftësinë e qytetarëve për të zgjedhur lirshëm”, tha Jashari.

Marija Miteva, zëdhënëse e Qeverisë, tha se një nga çështjet më komplekse për shoqëritë moderne është ndërhyrja e huaj dhe manipulimi me informacione, që sulmon institucionet, besimin publik, proceset dhe stabilitetin shoqëror.
“Ndikimi nuk bëhet përmes mekanizmave klasikë politikë apo të sigurisë, por përmes narrativave dhe dezinformatave që synojnë të krijojnë mosbesim dhe erozion institucional. Këto çështje trajtohen gjithnjë e më shumë si sfidë serioze demokratike dhe e sigurisë dhe tashmë nuk është pyetje nëse ekzistojnë këto rreziqe, por nëse shteti ka kapacitet t’i njohë dhe t’u përgjigjet sistematikisht”, tha Miteva.
Ajo shtoi se Qeveria konsideron se problemi nuk duhet trajtuar në mënyrë fragmentare, por përmes një qasjeje institucionale dhe të koordinuar. Ajo përmendi strategjinë e re kibernetike dhe ligjin për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve informative të Ministrisë për Transformim Digjital, si dhe punën për miratimin e 20 akteve nënligjore që përfshijnë energjetikën, bankat dhe telekomunikacionin. Miteva informoi edhe për formimin e një grupi pune ndërinstitucional për trajtimin e fushatave dezinformuese.
“Lufta kundër dezinformatave duhet të zhvillohet me kujdes që të mos kufizohet liria e shprehjes, sepse shoqëritë demokratike nuk mbrohen me restriksione, por me pjekuri institucionale”, tha Miteva.
Mikael Aterog nga Ambasada e Suedisë tha se edhe Suedia nuk është imune ndaj kërcënimeve me dezinformata dhe se rezistenca shoqërore testohet veçanërisht gjatë zgjedhjeve.
“Kryeministri i Suedisë në shkurt të këtij viti zhvilloi takim me liderët politikë për të diskutuar ndërhyrjet e huaja, pasi disa vende evropiane tashmë ishin përballur me sulme, prandaj kërcënimet nga dezinformatat trajtohen shumë seriozisht”, tha Aterog.
Ai shtoi se Suedia që nga viti 2021 ka një rrjet të përhershëm zgjedhor të përbërë nga institucione të ndryshme që bashkëpunojnë dhe ndajnë njohuri për organizimin korrekt të zgjedhjeve. Sipas tij, jo vetëm institucionet, por edhe çdo qytetar mund të kontribuojë në këtë proces, përmes rritjes së vetëdijes publike për përhapjen e dezinformatave.

Sipas Kushbu Agraval nga International IDEA, problemi i manipulimeve të huaja po përhapet në shumë shtete dhe po e dëmton aftësinë e qytetarëve për të krijuar mendime të pavarura, ndërsa dezinformatat zgjedhore janë veçanërisht të rrezikshme. Ajo tha se masat dhe burimet për mbrojtje nuk janë zgjedhje, por domosdoshmëri.
Në panelin për identifikimin e cenueshmërisë së integritetit zgjedhor lidhur me FIMI në Maqedoni diskutuan Bojan Mariçiq nga KSHZ, Sasho Bogdanovski nga Agjencia për Media Audio dhe Audiovizuele, eksperti moldav Andrei Cururaru dhe Goran Rizaov nga Metamorphosis.
Mariçiq theksoi se në epokën digjitale mbrojtja e votës nuk nënkupton vetëm sigurimin fizik të kutive të votimit apo përmirësimin biometrik, për shkak të presionit të madh ndaj integritetit zgjedhor përmes manipulimeve të orkestruara dhe dezinformatave.

“Maqedonia dhe Ballkani Perëndimor janë objektiv kryesor i kërcënimeve hibride për shkak të problemeve dhe dobësive të brendshme. Mosbesimi ndaj institucioneve, mungesa e edukimit mediatik dhe polarizimi politik krijojnë terren të përshtatshëm për dezinformata”, tha Mariçiq.
Ai shtoi se kur qytetarët nuk marrin informacione të shpejta dhe të sakta nga institucionet, bëhen objekt manipulimi dhe se dezinformatat zgjedhore mund të konsiderohen armë gjeopolitike me qëllim paralizimin institucional dhe dekurajimin e votuesve.
Sipas Goran Rizaov, Maqedonia është shembull i mënyrës se si lejohet përhapja e narrativave dezinformuese në procesin zgjedhor.

“Ndikimi i huaj i dëmshëm nuk krijon dobësi të reja, por i shfrytëzon ato ekzistuese dhe është më i rrezikshëm aty ku sistemi ka çarje. Institucionet e dobëta, mungesa e reagimit të shpejtë, financimi i fushatave digjitale, ndarjet etnike dhe partiake, profesionalizmi i ulët në gazetari dhe mungesa e rregullimit të platformave sociale janë autostradë për përhapjen e FIMI”, tha Rizaov.
Ai tha se një hulumtim i opinionit publik në vitin 2024 tregoi se qytetarët më së shumti informohen dhe u besojnë kontakteve personale, ndërsa besimi ndaj institucioneve dhe mediave po bie.
“Institucionet nuk kanë koordinim dhe nuk dihet kush duhet të konfirmojë informacionet apo dezinformatat, kush duhet të komunikojë me publikun dhe kush duhet të koordinojë. Në rastet e dezinformatave reagimi i shpejtë është thelbësor, sepse nëse nuk reagohet në orët e para mund të jetë tepër vonë”, tha Rizaov.
Ngjarja e organizuar nga Fondacioni “Metamorphosis” dhe International IDEA u zhvillua në kuadër të projektit “Ballafaqimi me manipulimet informative të lidhura me zgjedhjet dhe ndikimin e huaj”, i mbështetur nga Global Affairs Canada.





