Ka ndërruar jetë sot në moshë të shtyrë Dr. Ferit Vojnika, një nga figurat më të shquara të mjekësisë dhe intelektual i përmasave kombëtare, i njohur historikisht si gjinekologu i parë shqiptar në Maqedoni.
Lajmi ka prekur thellë mbarë opinionin publik, veçanërisht komunitetin dibran, të cilit Dr. Vojnika i kushtoi tërë jetën dhe karrierën e tij profesionale, përcjell INA.
Dr. Ferit Vojnika la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme humane dhe profesionale. Në një kohë kur mjekësia shqiptare në këto treva po bënte hapat e parë, ai kreu studimet dhe specializimet e vështira në Shkup e Beograd, ndërsa shërbeu për një periudhë edhe në Gjakovë, për t’u rikthyer më pas përfundimisht në vendlindjen e tij, në Dibër të Madhe.
Për dekada me radhë, në kushte jashtëzakonisht të vështira të një spitali periferik dhe pa mjetet e teknologjisë moderne, Dr. Vojnika kreu mijëra ndërhyrje të ndërlikuara kirurgjikale që asokohe guxohej të realizoheshin vetëm nëpër klinika të mëdha universitare. Nën duart e tij humaniste erdhën në jetë breza të tërë dibranësh, duke regjistruar një karrierë të artë e të pastër, pa asnjë rast fatal.
Përveç kontributit të papërsëritshëm në shëndetësi, Dr. Ferit Vojnika ishte edhe një kronikan dhe ruajtës i memories historike të qytetit. Përmes librit të tij të njohur “Dibra nëpër urat e kohës”, ai dokumentoi me vërtetësi rrugëtimin e vështirë të intelektualëve dibranë dhe jetën e qytetit në epokën e pas-Luftës së Dytë Botërore.
Me ndarjen e tij nga jeta, Dibra dhe mbarë shqiptaria humbën një kolos të mjekësisë, një misionar të shëndetit dhe një model të pashoq të urtësisë e patriotizmit.(INA)



