Sa u përket citimeve shkencore, “Shën Kirili dhe Metodi” mezi e ka kaluar Universitetin e Kragujevcit

Situata e universiteteve të vendit tonë është shumë e keqe, alarmoi kryetari i këshillit akademik të Rangimit Akademik i Universiteteve të Ballkanit – ARBU, sipas të cilit institucionet e arsimit të lartë nuk shkojnë përpara por kanë ngecur, sepse rritja e punimeve të botuara në 2 vitet e fundit është njëshifrore, pra më e vogël se 10%.

“Universiteti ynë më i madh dhe më i mirë, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, mezi e ka kaluar Universitetin e Kragujevcit. Këtë vit pritet të arrijë nivelin e Universitetit të Nishit. Ne kemi 396 mijë citime shkencore, ndërsa Zagrebi ka 4 milionë e 600 mijë. Ja shifrat që tregojnë sa i madh është dallimi mes këtyre universiteteve që renditen në Top 500”, u shpreh Marjan Bojaxhiev – kryetar i Këshillit Akademik ARBU.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se nëse në vitin 2022 buxheti për financimin e arsimit të lartë ka qenë 3 miliardë denarë, në vitin 2026 për universitetet janë siguruar 8 milardë denarë. Po ashtu foli edhe për ligjin e ri për arsimin e lartë.

“Ligji garanton autonominë akademike. Ajo që ishte kontestuese, unë pohoj se është e rregulluar pikërisht në këtë mënyrë: kritere transparente për vlerësim dhe avancim, si dhe mekanizma mbështetës për studiuesit e rinj. Gjithashtu, ai nxit prodhimin e më shumë punimeve shkencore dhe rritjen e dukshmërisë në shkëmbimet ndërkombëtare”, theksoi Vesna Janevska – ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Drejtoresha e Agjencisë për cilësi në Arsimin e Lartë, Kristina Serafimovska, theksoi se vendit tonë i duhen diskutime se për çfarë renditje ka nevojë dhe cilën metodologji do ta përdorë si dhe përmirësimin e politikave nacionale për zhvillim.

“Meqenëse Ballkani, pra të gjitha vendet e Ballkanit, përballen së bashku me një sfidë të përbashkët sa i përket dukshmërisë ndërkombëtare, mund të konkludojmë se nga më shumë se 300 universitete që ekzistojnë në këtë hapësirë, vetëm disa prej tyre janë të renditura dhe të dukshme në nivel ndërkombëtar”, potencoi Kristina Serafimovska – drejtpreshë e Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë.

Përndryshe, platforma e Rangimit Akademik i Universiteteve të Ballkanit – ARBU, përfshin 324 institucione të arsimit të lartë nga Ballkani dhe mbi 19,7 milionë citime shkencore. Projekti synon të krijojë bazë rajonale të të dhënave për krahasimin e performancës akademike dhe ndikimit shkencor të universiteteve dhe studiuesve. Sipas prezantuesve, të dhënat janë mbledhur nga Google Scholar dhe përfshijnë mbi 33 mijë profesorë e studiues, duke ofruar një pasqyrë të matshme të prodhimit shkencor në rajon. Rendi i parë tregon dominim të universiteteve nga Kroacia, Serbia dhe Sllovenia, me Universitetin e Zagrebit, Beogradit dhe Lubjanës në krye.