Zejneli: Shqiptarët duhet të unifikohen për ta fituar Kërçovën

kruan: Xhelal Zejneli

Profesor Xhelal Zejneli, ka komentuar situatën aktuale të zgjedhejve lokale në Maqedoni, më saktë në Kërçovë. Zejneli në një prononcim për Gazeta Express Maqedoni tha se, zgjedhjet në komunën e Kërçovës janë specifike dhe se gjithmonë ka mundësi që kjo komunë të udhëhiqet edhe nga partitë maqedonase.

Zejneli gjithashtu tha se partitë shqiptare duhet të unifikohen për raundin e dytë dhe të dalin vetëm me një kandidat. “

Zgjedhjet në Kërçovë janë specifike për arsye se në këtë komunë gjithmonë ka mundësi që drejtimin e saj ta fitojë edhe ndonjë kandidat sllavo-maqedonas. Kjo thekson nevojën që shqiptarët të dalin në zgjedhje, jo me dy apo tre kandidatë, por vetëm me një të përbashkët. Sikundër shihet, faktori politik shqiptar nuk ka arritur një marrëveshje për të garuar me një kandidat të përbashkët. Po qe se në komunën e lartpërmendur do të shkohet në raundin e dytë, gjë që me siguri do të ndodhë, atëherë mbetet që partitë shqiptare të arrijnë një marrëveshje të re për kandidat të përbashkët. S’duhet harruar se në këto zgjedhje koalicione janë krijuar edhe midis partive shqiptare dhe atyre sllavo-maqedonase. Me fjalë të tjera, një parti shqiptare lidh koalicion me një parti sllavo-maqedonase”, u shpreh Xhelal Zejneli.

Por a po flet Xhelal Zejneli për ndryshim në komunën e Kërçovës?! Sipas Zejnelit, Kërçovën e karakterizon edhe diaspora, ku në zgjedhjet e kaluara një numër i madh i mërgimtarëve vendosën për fitoren e kryetarit aktual, Fatmir Deharit, e që nuk dihet nëse do të votojnë edhe këto zgjedhje. Përveç kësaj, Zejneli shton se votuesit shqiptarë janë të dëshpëruar. “Komuna e Kërçovës është specifike edhe për diasporën e vet. Herën e kaluar, kryetari i kësaj komune u zgjodh vetëm në saje të ardhjes së shqiptarëve që punojnë nëpër vende të Evropës dhe në ShBA. Është vështirë të dihet saktë nëse do të vijnë edhe këtë herë dhe sa do të jetë numri i tyre. Nuk duhet harruar se ndër votuesit shqiptarë ka edhe të zhgënjyer dhe të dëshpëruar. Përpos kësaj, është rritur edhe numri i shpërnguljeve, d.m.th. i braktisjes së vendlindjes”, tha Zejneli.