Besmir LUSHAJ
Kryeministri i Sllovenisë, Janez Janša, deklaroi pak ditë më parë se vendi i tij do të vendosë veto ndaj anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, nëse kjo e fundit nuk përmbush një kërkesë.
Serbisë i kërkohet të hapë dosjet e UDB-së për Slloveninë, për periudhën 1944–1992, në mënyrë që të zbardhet se cilët sllovenë bashkëpunuan me shërbimin sekret serb.
Kryeministri slloven theksoi se vendi i tij nuk do të bëjë asnjë lëshim në këtë çështje.
Jam i bindur se, po të ishte Shqipëria shtet anëtar i BE-së, nuk do t’ia vendoste kurrë Serbisë një kusht të tillë.
Hapja e dosjeve të UDB-së për Shqipërinë, për periudhën 1944–1999, do të shkaktonte një tërmet politik e shoqëror. Do të rrëzonte shumë nga narrativat e rreme që na mësohen në shkolla dhe në institucione të tjera edukimi.
Disa të vërteta janë aq të frikshme, saqë askush nuk guxon t’i kërkojë.



