Vulin i shoqëruar nga rinia e partisë bën homazhe për kriminelin e luftës, Sllobodan Millosheviq

Sllobodan Millosheviq, i njohur edhe si “Kasapi i Ballkanit”, ka vdekur në Hagë pa e marrë dënimin e drejtësisë për krimet dhe gjenocidin e bërë ndaj civilëve të pafajshëm dhe të paarmatosur në Kosovë. Millosheviq dhe aparati shtetëror i Serbisë është përgjegjës për mijëra civilë të vrarë e masakruar gjatë luftës në Kosovë dhe për mijëra të tjerë të cilët janë dëbuar me forcë nga Kosova. Për një gjë të tillë Serbia, shtet që synon integrimin në BE, ende s’ka kërkuar falje. Krimet e Millosheviqit përmenden në vazhdimësi nëpër botë, edhe tash së fundi kur po e krahasojnë Vladimir Putinin me “Kasapin e Ballkanit”, pas agresionit rus në Ukrainë.

Por, për Aleksandar Vulinin, njeriun e Putinit në Serbi dhe për kukullën e Aleksandar Vuçiqit, “Sllobodan Millosheviqi meriton respekt për luftën që ka bërë në Kosovë” dhe se “nuk e meritonte të vdiste në Hagë”.

Kështu ka thënë Vulin sot ku i shoqëruar me rininë e partisë së tij ka bërë homazhe për kriminelin e luftës, Sllobodan Millosheviq.

“Të gjithë ata që flasin sot për nevojën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare duhet të pranojnë se Sllobodan Millosheviqi mbrojti të drejtën ndërkombëtare me popullin serb në Kosovë në vitin 1999 dhe prandaj duhet ta respektojmë atë. Sllobodan Millosheviqi meritonte respekt për luftën e tij, ai nuk e meritoi të shitej dhe përfundimisht të vdiste në Hagë”, ka thënë Vulin.

“Historia do të jetë shumë më e drejtë për Sllobodan Millosheviqin sesa ishin bashkëkohësit e tij. Sllobodan Millosheviq, kudo që jetojnë serbët, gëzon shumë më tepër respekt, mirënjohje dhe dashuri sesa ata që e shitën dhe e ekstraduan atë në Hagë”, ka përfunduar Vulin.