Baza ushtarake ruse në kufij me Kosovën/ Vjen paralajmërimi: Mund të kthehet edhe në burim të kërcënimit

Lufta në Ukrainë po vazhdon të ketë vëmendjen ndërkombëtare të të gjitha vendeve të botës.

Ajo është shndërruar në qendër të interesit botëror,  ku shumica  e shteteve evropiane po ndihen të kërcënuar nga veprimet dhe deklaratat tendencioze të shtetit rus.

Kësisoj, duke parë afërsinë e madhe të Rusisë me shtetin serb, Kosova ndodhet në tension  të vazhdueshëm nga veprimet dhe planet e mundshme serbe.

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se me sulmet e vazhdueshme të Rusisë, rrezikohet të eskalohet situate ushtarake edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.

“Agresioni rus mbi shtetin e pavarur e sovran të Ukrainës ku po bëhen sulme të vazhdueshme nga ushtria okupatore e Putinit, vazhdon t’i rris jo vetëm tensionet, por edhe rreziqet për eskalime ushtarake edhe në Evropë dhe vet Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai.

Sipas Qarrit, duhet marrë parasysh se Rusia në Nish ka ngritur edhe një bazë të veten ushtarake e cila nuk është larg kufijve të Kosovës.

Ai vlerësoi se ajo shumë shpejtë mund të kthehet edhe në burim të kërcënimit permanent për Kosovën.

Image

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri

“Prandaj duke pasur parasysh faktin se Rusia ka ndikim të madh në Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht në shtetin vasal të saj, në Serbinë e Aleksandër Vuçiqit, ku Rusia (në Nish) ka ngritur edhe një bazë të veten ushtarake, kjo bazë, për fat të keq, jo vetëm që nuk është shumë larg kufijve të Republikës së Kosovës, por shumë shpejtë mund të kthehet edhe në burim të kërcënimit permanent dhe shumë të këqijave që mund t’i vijnë shtetit tonë të brishtë”, theksoi analisti.

Në fund, ai kërkoi nga  Kosova dhe Shqipëria të thellojnë marrëdhëniet mes vete dhe të forcojnë lidhjet me Amerikën, pasi pa ndihmën e saj vendet tona e kanë të vështirë, tu përballojnë krizave të tilla ushtarake.

“Madje nga momenti kur Rusia ka kërkuar që personeli i kësaj baze, të ketë “status diplomatik”, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë shprehur qartë dhe me kohë se ajo mund të shndërrohet në bazë spiunimi për gjithë rajonin. Kështu që duke ditur ndikimin e madh rus në Ballkan, e më saktësisht në vet shtetet shqiptare, nisur nga prirja për agresione dhe okupime të territoreve të vendeve fqinje, jo vetëm nga Rusia, por edhe nga Serbia hegjemoniste, Kosova dhe Shqipëria, është nevojë e kohës, për thellimin e marrëdhënieve në mes vete, forcimin e lidhjeve dhe mbështetjen e vazhdueshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa ndihmën e të cilave, vendet tona e kanë të vështirë, tu përballojnë krizave të përmasave të tilla, të cilat shumë lehtë, në situata të brishta si këto, mund të rrëshqasin në konfrontime të hapura ushtarake dhe luftëra të reja për gllabërim territoresh me forcë, edhe nga Serbia hegjemoniste, në Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.