Vuçiq: Marrëveshja me Kosovën bëhet obliguese kur nënshkruaj une (VIDEO)

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarëve tjerë ndërkombëtar.

Në një konferencë të hënën për gazetarë Escobar, tha se akordi Kosovë-Serbi i arritur në Ohër më 18 mars për planin e zbatimit të propozimit evropian është ligjërisht obligues për të dyja palët.

Kjo përkundër faktit që dokumenti në fjalë nuk u nënshkrua.

“Ligjërisht e obligueshme për Serbinë është kur vendosi nënshkrimin apo vulën në diçka ose kur me këtë në mënyrë verbale apo gojarisht pajtohem. Kështu që askush tjetër nuk mund të prodhoj pasojë juridike për Serbinë përveç presidentit të saj dhe në disa raste kryeministrit apo ministrit të punëve të jashtme”, tha Vuçiq, gjatë një konference të përbashkët që e kishte me ministrin e punëve të jashtme të Italisë, Antonio Tajani, të martën në Beograd.

Vuçiq përsëriti se u ka thënë në fytyrë siç thotë kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për çka nuk do pajtohet me Kosovën.

Kjo përkundër pajtimit më 27 shkurt kur ky bashkë me kryeministrin kosovar Albin Kurti, e në ndërmjetësim evropian u pajtua që propozimi evropian të mbetet i pandryshuar.

Neni 4 i dokumentit në fjalë thotë se Serbia nuk do kundërshtoj anëtarësimin e Kosovës, në çfarëdo organizate ndërkombëtare.

“Kjo është që nuk bëhet fjalë për anëtarësimin e Kosovës në OKB apo organizatat, institucionet e agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe s’ka njohje. Krejt të tjerat që nënkupton normalizim, raporte normale e shumë më të mira mes shqiptarëve e serbëve, pa tensione e pa konflikte Serbia është gati ta pranoj e zbatoj”, shtoi kryetari i Serbisë.

Kur e përmendi zbatimin presidenti serb e kishte fjalën edhe për atë dakordimin e Ohrit.

Megjithatë  shtoi se ai nuk e mendon që Kosova do përmbush të vetmin obligim që sipas tij e ka e që është krijimi i Asociacionit në pajtim ne ujditë e arritura në dialog.