Vdes personi i parë që iu vu zemra e derrit

Personi i parë që mori një transplant zemre nga një derr ka vdekur, dy muaj pas eksperimentit novator, njoftoi të mërkurën spitali i Maryland që kreu operacionin.

David Bennett, 57 vjeç, vdiq të martën në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Maryland. Mjekët nuk dhanë një shkak të saktë të vdekjes, duke thënë vetëm se gjendja e tij kishte filluar të përkeqësohej disa ditë më parë, shkruan Indeksonline.

Djali i Bennett lavdëroi spitalin për ofrimin e eksperimentit të fundit, duke thënë se familja shpresonte se do të ndihmonte përpjekjet e mëtejshme për t’i dhënë fund mungesës së organeve.

“Ne jemi mirënjohës për çdo moment inovativ, çdo ëndërr të çmendur, çdo natë pa gjumë që përfshiu këtë përpjekje historike”, tha David Bennett Jr. në një deklaratë të lëshuar nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit të Maryland. “Shpresojmë që kjo histori të jetë fillimi i shpresës dhe jo fundi.”

Mjekët për dekada të tëra kanë kërkuar që një ditë të përdorin organet e kafshëve për transplante që shpëtojnë jetë. Bennett, një punëtor nga Hagerstown, Maryland, ishte një kandidat për këtë përpjekje më të re vetëm sepse ai përballej me vdekje të sigurt./Indeksonline/