Rusia po përgatitet për marrjen e Kievit, paralajmërim i ministrisë ukrainase të mbrojtjes

Ukraina njoftoi sot se forcat e armatosura ruse po përgatiten për marrjen e kryeqytetit Kiev, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sipas informacioneve që disponojmë, armiku po përgatitet për një përpjekje të re për marrjen e Kievit”, thanë Forcat e Armatosura të Ukrainës.

Kievi, qyteti më i populluar në Ukrainë, raportohet se ka qenë relativisht i qetë ditët e fundit, megjithëse në shënjestër të artilerisë ruse ishte periferia e kryeqytetit.

Në fillim të kësaj jave, kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë brenda ose në strehimore ndërsa qyteti intensifikon masat mbrojtëse, duke shtuar se luftime intensive po zhvillohen jashtë Kievit.

“Jemi duke shpërndarë ndihma midis popullatës më të rrezikuar dhe po deponojmë ushqime, nevoja themelore dhe ilaçe”, tha Klitschko.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, provokoi reagime të ashpra ndërkombëtare dhe çoi në sanksione serioze financiare kundër Moskës.

Të paktën 474 civilë janë vrarë dhe 861 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës dhe më shumë se 2,15 milionë qytetarë janë larguar nga Ukraina.