Van Dijk refuzon paratë e PSG-së, vendos të rinovojë me Liverpoolin

Girgil van Dijk nuk do të lëvizë nga Liverpooli. Sipas “The Sun”, qendërmbrojtësi holandez ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e “The Reds” për zgjatjen e bashkëpunimit. Ish-futbollisti i Southamptonit duhet të firmosë kontratën e re me kohëzgjatje për 5 vjet, në bazë të së cilës do të përfitojë 13 milionë euro në sezon, duke lënë pas edhe pagën aktuale të egjiptianit Salah (11.5 milionë).

Tabloidi anglez shton se PSG i kishte bërë një ofertë edhe më të rëndësishme van Dijkut, që shkonte rreth 16 milionë euro në vit, por që nuk e ka bindur gjigantin e “tulipanëve” të transferohet në Paris.

Zyrtarizimi i kontratës së re me Liverpoolin do të ndodhë në fund të kampionatit. Tani drejtuesit e kampionëve në pritje të Anglisë do të jenë të përqendruar në bisedimet për zgjatjen e kontratës së Manèsë, me aktualen drejt skadimit në verë të vitit 2023. Gjithashtu po mendohet të “blindohet” edhe Wijnaldum, që i ka mbetur edhe një vit kontratë me Liverpoolin.