Ursula e KE-së na drejtohet shqip, “shkunden” Zaevi e Mickoski

Muhamer Pajaziti

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von Leyen, i është adresuar edhe në gjuhën shqipe kryeministrit Zoran Zaev për dozat e vaksinave që do i dhurohen Maqedonisë.

Politikania evropiane i dha një “dush të ftohtë”, politikanëve maqedonas që paguhen edhe me taksat e shqiptarëve dhe postimet e tyre, i bëjnë vetëm maqedonisht.

Zaevi, Mickoski, por edhe presidenti që duhet të përfaqësojë unitetin e qytetarëve, asnjë germë nuk e shkruajnë në gjuhën shqipe.

Është absurde se si udhëheqësit e shtetit maqedonas, dy dekada pas pavarësisë, nuk kanë vullnetin as një komunikatë të shkurtët ta nxjerrin në gjuhën shqipe nga kabinetet e tyre.

Kjo është ajo pasqyrë se si trajtohet gjuha shqipe, e cila në bazë të një copë ligji të cunguar, është zyrtare, por që deri tani asnjëherë nuk u trajtua si e tillë.

Lidershipi maqedonas në vend se të mbështetet mbi kodin e komunikimit masiv nëpërmjet gjuhëve, ata ende udhëhiqen nga tendencat diskriminuese.