MASH: Vijojnë përgatitjet për maturën shtetërore

Shkollat e mesme po përgatiten për dhënien e maturës shtetërore. Në takimin onllajn të ministres së Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, drejtorët kanë informuar se veprojnë sipas zgjidhjes së përbashkët të Qeverisë dhe Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme për zbatimin e provimit përfundimtar, njoftoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

“Pjesa më e madhe e shkollave tashmë i kanë publikuar provimet interne. Edhe një herë bëra thirrje që të përmbushen të gjitha elementet e dakorduara nga matura, sepse kjo është në interes të nxënësve tanë”, tha ministrja Carovska.

MASH përkujton se komisionet e lëndëve të maturës kanë për obligim të përgatisin detyra provimi për secilën lëndë dhe t’i publikojnë më së voni tri javë para dhënies së provimit. Nga ato detyra provimi pastaj përgatitet testi për provimet interne.

Drejtorët e shkollave të mesme, siç thekson Ministria, kanë informuar se plotësisht do të zbatohen të gjitha masat e sigurisë dhe të mbrojtjes për dhënien e maturës. Ata e kanë informuar Carovskën edhe për rrjedhën e mësimit dhe për aktivitete të tjera në lidhje me procesin edukativo-arsimor.