Ulje prej 29.5% të rasteve të reja me virus

Instituti për Shëndet Publik e ka publikuar raportin javor për gjendjen me coronavirusin në vend, për periudhën prej 31 maj deri 6 qershor.

Siç thuhet në raport, në këtë periudhë janë testuar gjithsej 19.672 materiale në laboratorët ku bëhen analiza molekulare për vërtetimin e pranisë së virusit SARS-CoV-2. Krahasuar me javën që shkoi është shënuar rënie prej 9,1%.

“Shumica e rasteve të regjistruara janë në Shkup (n = 65; 41.9%), me një incidencë javore – 10.5/100,000. Incidenca më e lartë javore është regjistruar në Demir Hisar. Përqindja e pozitivitetit varion nga 0.1% në 1.4%, mesatarisht 0.7%.”

“Personat e infektuar janë në të gjitha grupmoshat. Grupmosha më e zakonshme është mbi 60 vjeç, ndërsa numri më i ulët është regjistruar tek fëmijët nga 0-9 vjeç”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Në periudhën e përmendur, si persona të shëruar janë regjistruar 465 persona, që paraqet rënie prej 30.8% krahasuar me javën e kaluar.

Kurse janë regjistruar edhe 13 raste të vdekjeve në 6 qytete, që është 45.8% më pak se javën e kaluar. Për sa i përket moshës së personave të vdekur me COVID-19, nëntë prej tyre kanë qenë mbi 60 vjeç, tre persona të moshës 50-59 vjeç dhe një person i moshës 40-49 vjeç. /SHENJA/