Kjo pamje la gojëhapur mbrëmë banorët e lagjes Kozle në Shkup!
Një ujk në lagjen e tyre!
Zvarrë tërhiqte një zinxhir, që linte të kuptonte se kishte ikur nga dikush që e mbante si kafshë shtëpiake.
Pas denoncimit nga qytetarë të shqetësuar, intervenoi policia, shërbimi profesional i Kopshti Zoologjik dhe përfaqësues nga Qyteti i Shkupit.
Kafsha u kap; dhe nga pamjet duket se ishte e zbutur, pasi nuk shfaq agresivitet.
KOPSHTI ZOOLOGJIK I SHKUPIT:
“Ujku është transportuar në mënyrë të sigurt në kopshtin zoologjik, ndërsa ZOO Shkup do ta strehojë dhe do t’i sigurojë kujdes dhe kushte të përshtatshme në të ardhmen. Periudhën e ardhshme ai do të jetë në karantinë nën mbikëqyrje të vazhdueshme shëndetësore nga persona profesionistë.”
Nga Kopshti Zoologjik rikujtojnë se mbajtja e kafshëve të egra si kafshë shtëpiake është e ndaluar dhe e rrezikshme, pasi siç shtojnë,kafshët e egra kanë nevoja, instinkte dhe sjellje natyrore, andaj nuk mund të mbahen në robëri dhe kushte të papërshtatshme.
“Nuk mund të besoj se ekzistojnë individë kaq të papërgjegjshëm që në këtë mënyrë i trajtojnë kafshët e egra, ndërsa njëkohësisht e rrezikojnë sigurinë e bashkëqytetarëve të tyre. Kjo nuk është vetëm papërgjegjësi, por rrezik serioz për gjithë rrethinën. Pres nga institucionet që t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme dhe ta zbardhin plotësisht rastin”, deklaroi Orce Gjorgjievski – kryetar i Shkupit.
(FOTO NE DATE SOTME, MEDIAT ONLINE)
Por a ishte vërtetë ujk apo qen? Në disa media online doli lajmi se kafsha e gjetur në Kozle është qen i çipuar, e jo ujk dhe se pronari po e kërkon mbrapsht, por ky lajm u përgënjeshtrua nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.
AGJENCIA PËR USHQIM DHE VETERINARI:
“Nga ana e veterinerëve zyrtarë të AUV-së gjatë ditës do të kryhet mbikëqyrje e jashtëzakonshme inspektuese në kopshtin zoologjik me qëllim të përcaktimit të llojit të kafshës së kapur dhe gjendjes së saj shëndetësore”
Megjithatë, autoritetet apelojnë te qytetarët që nëse vërejnë mbajtje ilegale të kafshëve të egra, të njëjtën ta paraqesin te institucionet kompetente.





