Detaje rreth përplasjes mes 3 veturave në unazën e Shkupit, ka të lënduar – disa përfundojnë në spital.

Tri automjete janë përfshirë në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi sonte në unazën e Shkupit, në segmentin pas kryqëzimit të Radishanit, në drejtim të Tetovës.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, aksidenti është raportuar në orën 19:10 dhe në të janë përfshirë një “Opel” dhe një “Mercedes” me targa të Shkupit, si dhe një “Audi” me targa të Kosovës.

Nga aksidenti ka persona të lënduar, të cilët janë dërguar në spital për trajtim mjekësor. Deri tani nuk është bërë i ditur numri i saktë i të lënduarve dhe as shkalla e lëndimeve.

Për shkak të aksidentit, qarkullimi në këtë segment të unazës, në drejtim të Tetovës, ishte ndërprerë plotësisht.

Policia po ndërmerr masa për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.