UEFA ‘godet’ edhe Bjellorusinë

Pas Rusisë, edhe Bjellorusia është sanksionuar rëndë nga UEFA. Ky shtet dhe të gjitha ekipet e këtij vendi do të luajnë në teren neutrale në ndeshjet si vendas si dhe nuk do të kenë të drejtë të kenë tifozë të pranishëm në stadiume.

Vendimi vjen nga mbledhja e sotme e UEFA-së dhe ka efekt të menjëhershëm.

“Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s u mblodh sot dhe vendosi që të gjitha klubet dhe ekipet kombëtare bjelloruse që garojnë në garat e UEFA-së do t’u kërkohet të luajnë ndeshjet e tyre si vendasi në vende neutrale me efekt të menjëhershëm. Për më tepër, asnjë shikues nuk do të marrë pjesë në ndeshjet në të cilat skuadrat nga Bjellorusia janë mikpritëse”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga UEFA.

Më tutje, UEFA bën të ditur se mbledhjet e saj do të jenë të vazhdueshme dhe do të merren masa varësisht nga nevojat e paraqitura nga situata e krijuar pas konfliktit Rusi-Ukrainë.

“Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të thërrasë mbledhje të mëtejshme të jashtëzakonshme, në baza të rregullta të vazhdueshme aty ku kërkohet, për të rivlerësuar situatën ligjore dhe faktike dhe për të miratuar vendime të mëtejshme sipas nevojës”.