Trump duhet të ftojë Zaevin dhe Borisovin në Uashington, si Hotin e Vuçiqin!

Qorrsokaku momental në të cilin janë futur negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë lidhur me çështjet historike, mund të tejkalohet vetëm me një marrëveshje të shpejtë, të stilit Hoti-Vuçiq që u arrit në Uashington.
Kështu vlerësojnë analistët shqiptarë në Shkup dhe Prishtinë, duke komentuar mundësinë për tejkalim të shpejtë të problemit “historik” mes dy vendeve.

“Modeli se si u arrit marëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte mirë të përdoret edhe në rastin e kontestit Maqedoni e Veriut-Bullgari. Duhet të shfrytëzohet momenti në të cilin Shtëpia e Bardhë dhe presidenti Trump janë të interesuar për ndërmjetësim në mbylljen e kontesteve në Ballkan, sa nuk ka eskaluar më tepër, që mund t’i kushtojë Maqedonisë së Veriut edhe disa vite të humbura drejt BE-së”, thotë për Lajm analisti Semi Mehemti.
Të njëjtin mendim ndan edhe analisti kosovar, Smajl Syla, që për momentin jeton në Skofje.
“Për Shtëpinë e Bardhë do të ishte e mirëseardhur edhe një marrëveshje e re në Ballkan me ndërmjetësimin e presidentit Trump. Do të ishte mirë që Shkupi, si palë që i duhet zgjidhje më shpejtë, të masë pulsin e administratës amerikane, për të ftuar të ndërmjetësojë në këtë kontest”, vlerëson Syla.
Zyrtarisht këtë ide nuk e komentojnë as nga ambasada amerikane në Shkup, as në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, kurse në Ministrinë e jashtme në Shkup e kanë komentuar shkurtë vetëm si “ide interesante”.