Shifra alarmante në Maqedoni: Çdo i dyti qytetar i rritur pi duhan, ndërsa pasojat kushtojnë qindra miliona euro!

Çdo i dyti qytetar i rritur në Maqedoninë e Veriut konsumon duhan, ndërsa nëse përfshihen edhe cigaret elektronike dhe produktet e tjera të nikotinës, kjo shifër arrin në 54 për qind.

Këto janë rezultatet e hulumtimit të organizatës “Analitika”, të realizuar me 1.065 qytetarë dhe të prezantuar në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Mbi një e katërta e duhanpirësve konsumojnë më shumë se 20 cigare në ditë, ndërsa rreth 40 për qind konsumojnë nga 10 deri në 20 cigare. Vetëm 10 për qind kanë tentuar ta lënë duhanin.

Një duhanpirës shpenzon mesatarisht 4.800 denarë në muaj, përkatësisht 57.600 denarë në vit për cigare.

Alarmante janë edhe pasojat ekonomike. Sipas vlerësimeve të prezantuara në konferencë, shpenzimet direkte shëndetësore arrijnë në rreth 65 milionë euro në vit, ndërsa humbjet indirekte ekonomike kapin shifrën prej 530 milionë eurosh.

OBSH-ja rekomandon rritjen e akcizave dhe çmimeve të cigareve, mbrojtjen e joduhanpirësve dhe masa më të rrepta për parandalimin e konsumimit të duhanit tek të rinjtë.

Sipas ekspertëve, rritja e akcizave drejt mesatares evropiane mund t’i sjellë buxhetit të shtetit edhe 100 deri në 110 milionë euro shtesë në vit, duke ndikuar njëkohësisht në uljen e numrit të duhanpirësve.