Tre të burgosur kërkojnë fundjavë të lirë, Andov: Vendimi, në duart e Komisionit

Të dënuarit për logjistikë në rastin Lagja e Trimave presin mbledhjen e komisionit përkatës në burgun e Shutkës për të marr njoftimin nëse mund të shfrytëzojnë vikendin e lirë i cili u takon në bazë të Rregullores. Në këtë grup janë: Arsim Bajrami, Elham Arifi dhe Musadik Pajaziti. Që të tre kanë plotësuar kushtet për fundjavë jashtë burgut, por edhe pse kanë kaluar filtrat në komisionet përkatëse një vendim i tillë nuk është ekzekutuar nga autoritetet e burgut. Drejtori i burgut hetues të Shutkës, Filip Andov tha për Alsat se pas mbledhjes së komisionit vendimi do të merret mbi bazën e mendimi të Departamentit për risocializim.

Komisioni i përbërë nga shefi i sigurisë, shefi i departamentit për risocializim dhe edukatori i burgut, më 28 janar kanë mbajtur mbledhjen e zakonshme në të cilën është konstatuar se i burgosur Arsim Bajrami nuk ka shkelur asnjë rregull të burgut dhe se e drejta e tij për shfrytëzimin e fundjavës së lirë duhet të ekzekutohet.

Për shkak se drejtori nuk ishte prezent, shefi i departamentit të risocializimit ka kërkuar nga Bajrami mirëkuptim për ekzekutimin e vendimit pas dy jave, por drejtori Andov as atëherë nuk e ka nënshkruar. Nga kontakti me të burgosurit, dyshimet e tyre janë se drejtori Andov nuk e nënshkruan qëllimisht vendimin për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe akuzave të mundshme nga opinioni si drejtor i ri në detyrë.

Më 11 mars, Arsim Bajrami është njoftuar zyrtarisht nga zyra e Avokatit të Popullit se rasti i tij është në shqyrtim dhe se për çdo moment të ri do të njoftohet në rrugë zyrtare.

Është hapur lëndë për kërkesën tuaj. Në bazë të kompetencave tona i jemi adresuar edhe drejtorit të burgut hetues “Shutkë” nga i cili kemi kërkuar informacione mbi mungesën 3 ditore të arsyetuar – njoftojnë nga Avokati i Popullit.

Bajrami, Arifi dhe Pajaziti të drejtën e fundjavës së lirë e kanë fituar prej muajsh por të njëjtën nuk kanë mundur ta kërkojnë për shkak të masave anti-Kovid. Sipas Rregullores në fjalë të burgosurit fitojnë një të drejtë të tillë kur deri në plotësimin e gjysmës së dënimit mbetet edhe një vit. Arsim Bajrami dhe Elham Arifi janë dënuar me nga 13 vite burg për logjistikë në terrorizëm, ndërsa Musadik Pajaziti me 12 vite burg efektiv./ALSAT