Kolonel Muhedin Bela: Diskriminimi i shqiptarëve në sektorin e mbrojtjes s’mund të justifikohet me mungesën e interesimit

Kolonel dr. Muhedin Bela, oficer në pension me karrierë të gjatë në Armatën dhe Ministrinë e Mbrojtjes, ka reaguar ndaj diskriminimit të shqiptarëve në sektorin e mbrojtjes, duke theksuar se prej vitesh ka ngritur këtë problem dhe ka kërkuar zbatimin e Kushtetutës, Marrëveshjes së Ohrit dhe ligjeve në fuqi.

Në reagimin e tij, Bela shprehet se gjatë shtatë viteve të fundit ka denoncuar vazhdimisht pabarazinë institucionale, por sipas tij, vetëm një numër i vogël funksionarësh e kanë mbështetur, ndërsa shumica kanë zgjedhur heshtjen.

Ai kundërshton arsyetimet se shqiptarët nuk kanë interesim, njohuri apo aftësi për të avancuar në institucionet e mbrojtjes.

“Pyetja thelbësore është krejt tjetër: A është punuar? A është investuar? A janë krijuar mundësi? A është bindur, përgatitur dhe motivuar i riu shqiptar që të synojë, të konkurrojë dhe të arrijë në këto institucione?”, thekson Bela.

Duke përmendur figura të njohura shqiptare nga historia, politika, shkenca, kultura dhe sporti, ai rikujton kontributin e shqiptarëve në nivel ndërkombëtar, duke vënë në pikëpyetje pretendimet për mungesë kapacitetesh.

Bela thekson se kërkesa e tij nuk ka qenë për privilegje, por vetëm për barazi dhe respektim të ligjit.

“Unë e kam ngritur zërin kur ishte koha për të folur, edhe kur shumë të tjerë zgjodhën heshtjen. Tani mbetet të shihet kush do të ketë guximin të flasë dhe të veprojë kur ka ardhur radha”, përfundon reagimin kolonel dr. Muhedin Bela.

Kolonel Bela ka një karrierë të gjatë ushtarake, arsimim të avancuar në institucione vendore dhe ndërkombëtare, si dhe përvojë në bashkëpunimin me strukturat amerikane të mbrojtjes dhe sigurisë.

* Kolonel dr.Muhedin Bela, oficeri në pension. Kolonel Muhaedin Dr. Bela, oficer me karrierë të gjatë ushtarake, arsimim të avancuar në institucione vendore dhe ndërkombëtare, përvojë në bashkëpunimin me strukturat amerikane të mbrojtjes dhe sigurisë dhe me një angazhim të dokumentuar për profesionalizëm dhe barazi institucionale. Për dekada ka qenë i angazhuar në Armatën dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Maqedonisë.