Tokën që e kishte blerë ia mori komuna! Elmazi 33 vjet përpiqet ta kthej, komuna thotë se është tokë shtetërore

Ky është Xhavit Elmazi nga Manastiri. Ai në vitin 1987 ka blerë një tokë në Manastir në vendin e ashtuquajtur “Bistra” që në atë kohë ka kushtuar 1. 800.000 dinarë jugosllavë, duke bërë një marrëveshje reciproke me shitësin.

Në vitin 1990 banorët e lagjes siç thotë Elmazi i kanë ngritur procedurë gjyqësore për ta larguar nga lagja vetëm se ishte shqiptarë. Në atë vit gjykata e shpalli të pa vlefshme marrëveshjen mes shitësit dhe blerësit.

 “U mblodhën banorët e vendit dhe më thanë nuk duam shqiptarë dhe më dhanë në gjyq. Sa më dhanë në gjykatë, gjykata menjëherë më thirri dhe sollën një vendim që absolutisht të jetë i pa vlefshëm marrëveshja dhe prona i kaloi komunës”, tha Xhavit Elmazi-banor.

Që atëherë e deri më sot, për 33 vjet Elmazi nuk ka lënë derë pa trokitur për të gjetur zgjidhje dhe për ta kthyer tokën e tij që e ka blerë atë kohë. Por gjithmonë ka hasur në dyer të mbylla dhe pa zgjidhje. E për tu bërë edhe më i madh problemi, për atë vend tani figuron një pronar tjetër i cili në dokumente thotë se ka blerë gjysmën e tokës nga Komuna.

 “Tani është futur edhe një njeri në tokën time, unë e punoj atë kam mbjellë pemë, domate, speca të gjitha gjërat. Unë kërkoj nga Komuna të ma japin dhe të ma legalizojnë vendin, të ma kthejnë vendin ose nëse komuna nëse do që ta marr le të ma paguaj”, pohoi Xhavit Elmazi-banor.

Ai nuk e ka të qartë se si prona private e blerë në vitin 1987 të bëhet pronë e Komunës.

TV21 kërkoi qëndrim edhe nga Komuna e Manastirit për të parë se ku qëndron problemi, e nga atje thonë se prona është në emër të Republikës së Maqedonisë.

 “Situata faktike është se parcela është në emër të RMV-së, ashtu po udhëhiqet. Nuk udhëhiqet nga pronar privat dhe ne nuk mund të marrim një pronë e cila i takon shtetit. Kjo ka qenë temë një kohë të gjatë deri në qeveri më pyetje me gjëra, por situata nuk është siç e tregon personi në fjalë”, thonë nga komuna e Manastirit.

Por në të vërtetë në dokumentin nga kadastra, qëndron fakti që tokën me marrëveshje në letër Elmazi e ka blerë nga Jovan Dimovski. Prona mbi këtë të fundit ka qëndruar deri në vitin 1990 pikërisht kur gjykata ka bërë të pa vlefshme marrëveshjen pronësore midis Xhaviti dhe Jovanit, e që atëherë kjo tokë i jepet komunës së Manastirit.

Në vitin 2010 në një pjesë të asaj toke, bëhen pronar dy persona të tjerë, ndërsa një pesë sërish i mbetet Komunës së Manastirit.  Se toka i ka takuar Xhavit Elmazit e vërteton edhe bashkësia e lokale “Dimçe Xhan Popovski” nga Manastiri. Ata thonë se në bazë të evidencës dhe dokumenteve që posedon kjo bashkësi lokale figuron se më 11.11.1987 Xhavit Elmazi e ka blerë vendin nga Dimovski Petkov Jovan./tv21