Therrja e katër personave në Pejë, policia arreston dy të dyshuar

Policia në Pejë ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”.

Të njëjtit më 22 dhjetor dyshohet se kanë therrur me thikë katër persona, njofton Klankosova.tv.

“Më datë 22 dhjetor 2021 rreth orës 22:00, Policia është informuar për një rast, i cili ka ndodhur në një lokal në rrugën “Adem Jashari” në Pejë. Policia menjëherë ka dalë ne vendngjarje, aty është informuar se katër persona të lënduar nga mjetet e mprehta janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, ndërsa njëri nga të lënduarit për shkak të natyrës së lëndimeve është dërguar në QKUK”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Të dyshuarit e rastit kanë ikur nga vendi i ngjarjes, në drejtim të panjohur. Pas një pune intensive të Policisë, me datë 03.01.2022 rreth orës 23:00, është arritur vendndodhja e dy personave të dyshuar, të cilët janë arrestuar nga Policia”.

Të dyshuarit pas intervistimit me urdhër te Prokurorit të shtetit iu është caktuar masa e ndalimit Policor prej 48 orësh.