Thaçi dhe ekipi i avokatëve thonë se nuk kanë arritur t’i kuptojnë aktakuzat: Patën redaktime të shumta

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën gjyqësore në të cilën po prezantohen aktakuzat e rënduara ndaj tij në Gjykatën Speciale, ka thënë se nuk ka arritur t’i kuptojë ato për shkak të redaktimeve të shumta.

“Nuk i kam kuptuar sepse nuk kam pasur mundësi t’i lexojë sepse janë shumë të redaktuara”, ka deklaruar ai.

I të njëjtit mendim ka qenë edhe avokati i Thaçit në Speciale, Gregory Kehoe, duke thënë se redaktime të shumta kishte pasur edhe në aktakuzat paraprake.

“Si shumica e akuzave, ato janë shumë të redaktuara. Kjo e bën klientin tim z. Thaçi dhe të tjerët të mos kenë mundësi të kuptohen se çfarë po paraqet Prokuroria e Specializuar. Ata vazhdojnë të shtojnë volume materialesh me redaktime të shumta. Në këtë moment nuk po shtohet ndonjë gjë e madhe, se me këto redaktime është e pamundshme të kuptohet se për çfarë bëhet fjalë”, tha ai në seancë.

Ish-presidenti Thaçi është deklaruar i pafajshëm lidhur me aktakuzat e reja të zgjeruara për të dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së.