Tensionet Iran-Izrael/ Garda revolucionare iraniane kap një anije izraelite në Ngushticën e Hormuzit

Garda Revolucionare iraniane bastisi dhe sekuestroi një anije me flamur portugez që i përkiste një kompanie izraelite të shtunën. Në një video, është regjistruar momenti i sulmit nga iranianët, të cilët i janë afruar me helikopter anijes MSC Aries teksa po lundronte në Ngushticën e Hormuzit.

Një anëtar i ekuipazhit të anijes dëgjohet fillimisht duke bërtitur “mos dil jashtë” dhe më pas duke dhënë udhëzime për t’u nisur drejt urës ndërsa iranianët vazhdonin të zbrisnin. Sipas Associated Press, anija i përket kompanisë Zodiac Maritime me qendër në Londër, e cila është pjesë e grupit Zodiac të manjatit izraelit, Eyal Ofer.

Sekuestrimi i anijes vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Izraelit dhe Iranit janë në “të kuqe” ndërsa shtohen informacionet se Teherani po përgatitet për një sulm hakmarrës pas sulmit izraelit ndaj ambasadës së tij në Damask ku mbetën të vrarë disa iranianë./abcnews.al