Të flasësh për Xhevdet Hajredinin…

…Për zotin Xhevdet Hajredini ruaj kujtimet më të mira. Me hapjen e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Shkup, në fillimshkurtin e vitit 1993, si Përfaqësuesi i parë diplomatik i saj në Republikën e pavarur të Maqedonisë së Veriut, kontaktet e mia me anëtarët e Qeverisë së asaj kohe dhe sidomos me ata shqiptarë, ishin të natyrshme. Sipas sektorëve që mbulonin, bisedonim kryesisht për çështje të ecurisë së marrëdhënieve dypalëshe, por dhe për probleme të tjera.
Teksa shkëmbenim mendime me Ministrin e Financave, i gëzohesha së pari faktit, që atë e mbanin me të drejtë, midis ministrave më të aftë të qeverisë së Branko Crvenkovskit. Xhevdet Hajredinit i kishte rënë barra të përballej me situata tepër të vështira. Dhe në tërë këtë rrugë: gjithnjë punëtor dhe me vizion. Njeriu që vinte me përvojën e gjatë të ekonomistit nga “Elektroekonomia”, tani, në postin e rëndësishëm të Ministrit të Financave, udhëhiqte me kompetencë, jo vetëm financat e shtetit të ri të pavarur, por edhe negociatat me Bankën Botërore apo me Fondin Monetar Ndërkombëtar… në rrugën për plotësimin e kushteve për anëtarësimin e Maqedonisë në to.
Në bisedimet me të, më ka bërë gjithmonë përshtypje kurajua për t’i thënë gjërat hapur, ashtu siç paraqiten, me dëshirën për një rrugëtim sa më të mirë të marrëdhënieve të Shqipërisë me Maqedoninë, për të qënë ato model i vendeve të rajonit tonë. Ai kishte bindjen se marrëdhënie të tilla ishin edhe në interes të popullit shqiptar që jeton në Maqedoni. Heshtja ndaj atyre qëndrimeve që dëmtonin secilën palë, ishte larg karakterit të tij, qofshin ato për qeverinë ku bënte pjesë apo për tonat, duke sugjeruar i qetë dhe modest, rrugët konkrete për zgjidhjen e problemeve që nuk ecnin. Ishte interesi kombëtar që mbante të ndezur këto qëndrime.
Mbaj mënd, se në mbledhjet e qeverisë, sipas edhe medias vendase, disa herë ka ngritur problemin e përmirësimit të të drejtave të popullit shqiptar në Maqedoni, nga i cili vinte dhe vetë, por dhe të pakicave të tjera, edhe pse merrte vetëm premtime. I shqetësuar që gjërat nuk ecnin, por dhe pas kësaj, nuk e pashë një herë të dekurajuar. Kemi folur për vështirësitë që haseshin në korrigjimin e strukturës nacionale të stafit të ministrive, por dhe të njësive rajonale, të cilat nuk merreshin në konsideratë nga të tjerët dhe, për çudi, media e shkruar, për të mbajtur gjendjen në vendnumëro, me tituj të mëdhenj tërhiqte vëmendjen: “Ministrat shqiptarë po bëjnë pastrim etnik”, “Ministria e Financës bën lëshime në komunat me shumicë shqiptare, edhe pse nuk shlyhen tatimet”, kur realiteti fliste për të kundërtën.
Kemi shkëmbyer shpesh mendime për gjendjen ekonomike në vend. Si njohës i thellë i saj, por dhe nga detyra e Ministrit të Financave, nuk kanë munguar sugjerimet e tij, kjo edhe për shkak të embargos së njohur ndaj Serbisë dhe Malit të Zi, me izolimin e tregjeve të ish Jugosllavisë, për hapjen e rrugëve, me qëllim daljen nga kriza të ekonomisë maqedonase. Dhe Shqipëria iu ndodh pranë Maqedonisë në çastet më të vështira të saj, duke i ofruar portet dhe rrugët e veta për t’i shfrytëzuar ato.
U ndala shkurt vetëm në disa momente. Por e di, këto janë pak, shumë pak kur flet për Xhevdet Hajredinin.

LEONIDHA MËRTIRI
Ambasador
Ish Përfaqësues i parë diplomatik i Shqipërisë në Shkup