Takim Besimi-Geer: Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor është dorë e shtrirë për konvergjencë më të shpejtë dhe eurointegrim të vendit

Republika e Maqedonisë së Veriut dhe pjesa tjetër e vendeve të rajonit sigurojnë mjet të fuqishëm në zbatimin e reformave në rrugën evropiane përmes Planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor, i cili do të mundësojë lidhje, përkrahje për reformat dhe përkrahje financiare në trajtën e granteve dhe huave të favorshme. Kjo është dorë e shtrirë nga BE-ja drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, që duhet të shfrytëzohet për krijimin e kushteve të favorshme ekonomike për qytetarët dhe sektorin privat. Kjo u theksua në takimin e ministrit të Financave, Fatmir Besimi, me ambasadorin e BE-së në vend, David Geer.

Më 17 nëntor, të gjithë ministrat e Financave, Ekonomisë dhe kryenegociatorët do të arrijnë në Shkup për të realizuar takim ministror nga rajoni për të negociuar rreth kushteve për Planin e Ballkanit Perëndimor.

Plani i rritjes ofron përkrahje për integrimin ekonomik të vendit në tregun e përbashkët të BE-së, përforcimin e mëtejshëm të lidhjes së tregut të përbashkët rajonal, përshpejtimin e reformave fundamentale dhe rritjen e ndihmës financiare për përkrahjen e reformave përmes Instrumentit të reformave dhe rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Përmirësimi i integrimit ekonomik në tregun e përbashkët do të bëhet nëpërmjet sigurimit të lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve, qasjes në Fushën e njësuar të pagesave, lehtësimin e transportit rrugor, integrimin në zinxhirët industrialë të furnizimit, integrimin dhe dekarbonizimin e tregjeve energjetike, si dhe tregut të përbashkët dixhital.

Vendet nga Ballkani Perëndimor do të ftohen që të përpilojnë axhendë reformash dhe ta parashtrojnë atë në afat prej tre muajve nga hyrja në fuqi e Rregullores për krijimin e Instrumentit të reformave dhe rritjes për Ballkanin Perëndimor. Instrumenti i reformave dhe rritjes për Ballkanin Perëndimor do të përfshijë një periudhë 4 vjeçare (2024-2027) me përkrahje financiare prej 6 miliardë eurove.

Në takim u theksua se Raporti i KE-së për progresin e vendit vë në dukje progresin e arritur me miratimin e Ligjit të ri të Buxheteve, që përfshin zbatimin e rregullave fiskale, themelimin e Këshillit Fiskal dhe kornizën afatmesme fiskale. Janë ndjekur udhëzimet e KE-së për përgatitjen e akteve nënligjore dhe funksionalizimin e mëtejshëm të Ligjit të Buxheteve. Në drejtim të qëndrueshmërisë fiskale, në menaxhimin e financave publike, vazhdojmë me angazhimin tonë për konsolidim fiskal, nëpërmjet reduktimit të vazhdueshëm të deficitit buxhetor.

Në takim u theksua se agjenda e reformave e përpiluar nga vendet e Ballkanit Perëndimor do të jetë shtytësi kryesor i Planit të rritjes, respektivisht përmbushja e tij do të sjellë shfrytëzimin e mundësive të tregut të përbashkët të BE-së dhe shfrytëzimin e Instrumenti të reformave dhe rritjes, me të cilin në periudhën 2024-2027 do të vihen në dispozicion mjete të pakthyeshme deri në 2 miliardë euro dhe hua të favorshme deri në 4 miliardë euro. Fokusi i reformave duhet të jetë në axhendën e gjelbër, dixhitalizimin dhe inovacionin, si dhe në dekarbonizimin, respektivisht në tranzicionin energjetik nga qymyri në burimet e ripërtëritshme të energjisë.

KE-ja publikoi dje raportet për progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me Planin e rritjes së BP-së, i cili sjell përfitime ekonomike për bizneset, të punësuarit, konsumatorët dhe kjo rezulton në përfitime për integrimin e tërësishëm në BE për vendet që duhet të krijojnë ekonomi më të fuqishme dhe më rezistuese.