Hovenier: Ngritja e Asociacionit, çështje urgjente

“Kurti e ka pranuar. Drafti nuk cenon Kushtetutën”

Urgjente e ka cilësuar ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Në një konferencë për media ai tha se draft-statuti që u prezantua nga BE-ja dhe SHBA-ja është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Draft-statuti është prezantuar nga Bashkimi Evropian në prani të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është konsideruar që është në respektim të plotë më Kushtetutën e Kosovës. Qëndrimi ynë është që ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të kërkohet ndryshmi i Kushtetutës, nuk do të ketë autoritet ekzekutiv. Ne besojmë se ky draft-statut i përmbush të gjitha këto kritere”, tha Hovenier.

Sipas tij Kurti e ka pranuar këtë draft dhe qeveria nuk ka arsye të mos shkojë përpara me këtë draft-statut.

“Kryeministri e ka pranuar. Jam habitur me numrin e njerëzve që kanë interpretuar një draft-statut që nuk e kanë parë. Është një dredhi mjaft mbresëlënëse. Asociacioni duhet të formohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Entiteti që mund të vlerësojë këtë është Gjykata Kushtetuese dhe siç ka thënë kryeministri ka një klauzolë që e mundëson një gjë të tillë”.

Sipas tij dokumenti do të publikohet me kohën.

“Nuk ka asgjë sekrete sepse dokumentet e ndjeshme janë të bëra në fshehtësi sepse kjo mundëson marrëveshje dhe gjuhë të përbashkët. Ka kohë kur publiku njoftohet. Në një kohë të përshtatshme publiku mund ta shohë. Nëse e lexoni deklaratën e vendeve të BE-së, Franca, Gjermania dhe Italia, përdorin gjuhë urgjente, pra ka një urgjencë. Nuk ka arsye pse nuk duhet qeveria të vazhdojë më tej me këtë draft”.

Me 21 Tetor 5 përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it i kanë dorëzuar kryeministrit Albin Kurti planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve në të cilin përfshihet edhe draftstatuti i themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.