Sulejmani sqaron detajet: 12 lëndët teorike të provimit të jurisprudencës do të jenë në gjuhën shqipe

Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, në podcastin “Fol” me gazetarin Nexhat Aqifi në TV Festa Kumanovë, ka shpalosur detajet teknike se si do të zbatohet dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke iu përgjigjur njëkohësisht edhe kritikave të opozitës.

Sulejmani bëri të ditur se ndryshimi përmbajtësor prek pjesën teorike të provimit, ku kandidatët kanë pasur sfidat më të mëdha gjuhësore që nga viti 1968.

Zëvendësministri sqaroi ndarjen mes pjesës teorike dhe asaj praktike të provimit:

12 lëndët teorike: Që nga ky moment, studentët shqiptarë do t’i nënshtrohen pjesës teorike prej 12 lëndësh tërësisht në gjuhën shqipe.

Pjesa praktike: Sa u përket dy provimeve të pjesës praktike, Sulejmani theksoi se për shkak të mënyrës se si është i ndërtuar dhe funksionon sistemi gjyqësor në vend, për momentin është e pamundur që ajo të zhvillohet në shqip.

“Pjesa teorike e provimit, që përmban diku 12 lëndë, do të jepet në shqip. Realisht kjo është pjesa ku studentët kanë hasur vështirësitë më të mëdha për t’i treguar njohuritë e tyre. Ne këtë pjesë e kemi zgjidhur,” deklaroi Sulejmani.

Duke u ndalur te kritikat e opozitës se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve i vitit 2019 e mundësonte tashmë këtë proces, Sulejmani i hodhi poshtë këto pretendime me shifra konkrete:

“Po ta mundësonte ligji i vitit 2019, pse prej atëherë e deri më sot më shumë se 200 studentë e kanë kaluar provimin e jurisprudencës dhe asnjëri prej tyre nuk e ka kaluar në shqip? Të gjithë e kanë kaluar në maqedonisht,” tha ai.

Në fund, Sulejmani nëvizoi se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve përcakton qartë se duhet të bëhet harmonizimi i posaçëm i Ligjit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës – një proces që sipas tij po realizohet pikërisht tani. /tvfesta