Spanja, procedurë të përshpejtuar për Protokollin

Spanja filloi procedurën parlamentare për ratifikim të Protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, e cila pritet të përfundojë në mars. Dje, Komiteti për punë të jashtme e pranoi iniciativën e Kongresit spanjoll për fillim të procedurës së shpejtë të ratifikimit, pas çka do të kalojë në seancë plenare të Kongresit. Procedura e njëjtë duhet të përfundojë edhe në Senat, që të dekretohet nga Mbreti. Dhe vetëm atëherë Maqedonia e Veriut do të bëhet zyrtarisht anëtarja e 30-të e plotfuqishme e NATOs. Ndërkohë Presidenti, Stevo Pendarovski dekretoi Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Veriatlantike, i cili dje kaloi procedurën parlamentare me mbështetje unanime.

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska shprehet optimiste se para se të shpërbërhet, Kuvendi do ta miratojë edhe ligjin e ri për mbrojtje edhe pse paraprakisht kishte deklaruar se Ligji për Mbrojtje do të miratohej bashkë me Marrëveshjen Veriatlantike. Ajo thekson se pasi VMRO DPMNE-ja e votoi Ligjin për shërbim ushtarak, me të cilën riemërtohet ushtria, nuk ka arsye që të mos e mbështesë Ligjin për Mbrojtje.

Pres, jam e bindur se Kuvendi nuk do të tërhiqet nga kjo detyrë dhe se në ditët e fundit, përpara se të shpërbëhet një nga ligjet që do të miratohen do të jetë Ligji për Mbrojtje. Dua të sqaroj se është vërtetë e papërgjegjshme që edhe në ditët kur festojmë sukses, të manipulohet me Ligjin për Mbrojtje- deklaroi Radmilla Shekerinska, Ministre e Mbrojtjes.

Ligji për Mbrojtje përfshin edhe Protokollin e Pestë, respektivisht kalimin nga mbrojtja individuale në kolektive, ose interpretimin e sulmit mbi një shtet-anëtar si sulm mbi gjithë NATO-n. Gjithsesi Sekretari i Përgjithshëm, Stoltenberg tha pavarësisht a do të miratohet apo jo ligji, me anëtarësimin e plotëfuqishëm Protokolli i Pestë bëhet obligim për Shkupin. Ndryshe, Marrëveshja Veriatlantike u ratifikua para kohe, me 114 vota pro, që të mos rrezikohet anëtarësimi i vendit nëse Spanja e ratifikon Protokollin derisa Kuvendi të jetë i shpërbërë për zgjdhjet e prillit./Alsat