Sot, gjashtëvjetori i anëtarësimit të Kosovës në FIFA

Sot, gjashtë vite më parë, futbolli i Kosovës merr një shtysë dhe afirmim të madh në arenën ndërkombëtare.

Togfjalëshat i vjetër “futboll në lloç” e “futboll nën okupim” që ilustrojnë më së miri vuajtjet që përcillnin ushtrimin e këtij sporti ndër vite, u kurorëzuan me pranimin me të drejta të plota në FIFA.

Tribunat jo të ndërtuara e fushat jo të përshtatshme vazhdojnë të jenë të pranishme edhe sot brenda futbollit vendor, krahas edhe shumë problemeve teknike.

Nën iluzionin e një përparimi të shpejtë gëlojnë akoma shumë çështje të pazgjidhura që, për nga natyra, duhej t’i përkisnin shekullit të kaluar.

Dromca cilësie vazhdojnë të vërehen sikurse në kombëtare, ashtu edhe brenda ligës, por kjo duket vetëm një e çarë e vogël e një yjësie të shndëritshme që pritet nga çasti në çast të shpërthejë si strall duke shkëlqyer.

Shpresat janë për një të ardhme të afërt që e gjithë kjo të shndërrohet në një realitet të prekur.