Shumë pak vepra të dala nga shpirti

PËR HEJZA-n flet Osman Demiri, fotograf

Osman Demiri (1965) shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, në Kumanovë (Republika e Maqedonisë së Veriut), kurse Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkup. Specializoi për fotografi në Milano- Itali. Ka qenë drejtor fotografie në shumë filma dokumentar dhe artistik, regjisor dhe pjesëmarrës në disa festivale filmi etj. Demiri realizoi ekspozitat personale në Milano, Nju Jork, Salsburg, Bruksel, Boston, Beograd, Maribor, Novi Sad. Sombor, Banja Luka, Stamboll, Antalia, Bruksel, Sofje, Shkup, Prishtinë, Tiranë, Gostivar, Tetovë, Prizren, Vlorë, Berat, Korçë dhe mbi 150 ekspozita kolektive në Maqedoni dhe jashtë. Jeton dhe vepron ne Gostivar
HEJZA: Ku ta gjejmë kufirin në mes artit dhe reprodukimit në fotografi?
DEMIRI: Ah, këta kufijtë, gjithmonë na kanë sjellur probleme. Edhpse kjo ishte një shaka, ka shumë të vërtetë brenda. Arti në përgjithësi është shumë subjektiv, prandaj kufijtë mes asaj se cfarë është art, e cfarë mjeshtri apo zanat, janë shumë të padefinuar. Mirëpo, e mira është se ai që don e gjen. Nëse fotografi arrin që përveç pasqyrimit të një realiteti, të japë edhe diçka nga vetja, mund të themi se këtë kufi e ka kaluar. Atë se çka na pret andej “kufirit”, mund ta thotë vetëm vrojtuesi. Sa më tepër emocioni jashtë atij realiteti që duket ne fotografi, aq më të fortë dhe më të thellë janë këta kufij, sepse autori ka arritur që shikuesin ta fusë brenda gjërësisë dhe gjatësisë së një fotografie. Kjo lloj fotografie jeton, në fakt aty e fillon tregimin e saj dhe nuk shterret kurrë, për dallim nga reprodukimi apo pasqyrimi, i cili në momentin e shkrepjes është vetëm si dëshmitar e kesaj ngjarjeje dhe aty mbaron misionin e vet.
HEJZA: Cila është bota e fotografit në çastin e shkrepjes së aparatit para të bukurës?
DEMIRI: Nuk thuhet kot, para fakteve heshtin edhe zotat, kurse para së bukurës heshtin të gjithë. Falë teknologjisë, bota e fotografisë është e gjërë dhe e madhe, mirëpo në momentin e shkrepjes bëhet jashtëzakonisht e vogël dhe e ngushtë, e mbi të gjitha e shkurtë. Fotografi nuk ka luksin e kohës për t’u menduar gjatë, ai duhet të vendosë në të qintën e sekondës. Në këtë kohë kaq të shkurtë duhet të vendos se nga cila anë e “kufirit” do të mbesë puna e tij, do të ngelet vetëm një pasqyrim, apo do të hyjë në botën e artit. Ky çast është vendimtar, a do të mbyllet një cikël i jetës, apo do të filloj një cikël i ri? Kur jemi ke e bukura, mendoj se ajo nuk është shumë relevante në botën e artit, në këtë rast në botën e fotografisë. Arti tenton kah e bukura, por merret edhe me të shëmtuarën, edhe me të keqen. Mirëpo, gjithmonë duke tentuar të nxjerr në pah anën e mirë dhe të bukur të gjithçkaje.
HEJZA: E shëmtuara si kryevepër! Sa është provokuese ky fenomen estetik te fotografët?
DEMIRI: Pikërisht këtë po mundohesha të sqaroj në pyetjen paraprake. Edhe e shëmtuara, mendoj si fenomen shoqëror, është provokim për një fotograf. Madje, kohëve të fundit intrigon më shumë. Kemi kryevepra artistike të dala nga fenomenet e shëmtuara të shoqërisë, qofshin ato luftëra, sëmundje, apo raste më të izoluara. Fotografia ka demaskuar diktatura të ndryshme shoqërore, sic ka bërë letërsia, filmi e tj. Ato janë paraqitur si realitet i kohës, por në fakt janë munduar të mbajnë baraspeshën e momentit. Ose nga ana tjetër, me prezentimin e së bukurës, kanë luftuar të shëmtuarën. Me këtë dua të them, se për një artist të mirëfilltë, apsolutisht nuk ka rëndësi motivi, por mënyra se si prezentohet ai. Fenomeni i të shëmtuarës është gjithkund në botë njësoj, mirëpo prezentimi i tij dallon nga vendi ne vend, ose nga artisti tek tjetri, gjë që e bën të vecantë. Qasja autoriale është ajo që i dallon.
HEJZA: Si duket sot bota e fotografisë artistike. Kah po shkon ajo?
DEMIRI: Është shumë rëndë të flitet në përgjithësi, sepse është një temë shumë e gjërë. Fotografia, në shikim të parë duket shumë e larmishme, por në fakt është shumë uniforme. Industria dhe mediumet, po na tërheqin si një vorbull, për të na unifikuar dhe për t’na çuar aty ku dojnë ata. Shumë pak kemi fotograf, apo artistë në përgjithësi, të cilët i përmbahen stilit dhe unit vetanak. Kufijtë, që i përmendëm më lartë janë aq shumë të përzier dhe të cekët, sa nuk dihet ku mbaron njëri dhe ku fillon tjetri. Vlerat artistike janë zbehur dukshëm kudo në botë, por te ne janë shumë më të theksuara. Çdokush i thotë vetes artist. Arti ka filluar të bëhet profesion profitabil. Punohen vepra artistike me porosi. Pra, nuk janë vepra të dala nga shpirti, por nga porosia. Arti shitet me metër katror. Normalisht që ka përjashtime, por janë shumë të rralla. Nga e gjithë kjo, del se gjithçka është bërë biznes, edhe arti, edhe sporti, edhe muzika etj.
HEJZA: Në historinë e fotografisë artistike fotografët shqiptarë zënë vend jashtëzakonisht të meritueshëm.
DEMIRI: Shumë e vërtetë. Nëse kemi me çka të krenohemi ne si shqiptarë, kjo do të ishte fotografia. Ajo ka shkuar pothuajse në hap me vendet europiane, madje diku edhe ka avancuar. Kemi studiot e para të fotografisë në Shqipëri, të cilat kannë dhënë kontribut të madh në botën e fotografisë, duke fillaur nga fotgrafët e Shkodrës e deri poshtë ne Korçë. Kemi pasur emra të mëdhej të fotografisë, siç janë, Marubët, Kol Idromeno, Mjeshtër Sotiri, Gjon Mili etj.
HEJZA: Ku janë sot fotografët shqiptarë? Sa janë të përkushtuar pas këtij pasioni. Ku është sot fotografia shqiptare?
DEMIRI: Për fat të mirë, kemi nje plejadë të mirë të fotografëve shqiptar. Ata i gjejmë kudo nëpër trevat shqiptare, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në diapsorë. Por, për fat të keq, fusha e veprimit të tyre nuk është aq e lakmueshme falë situatës së përgjithshme edhe ekonomike edhe politike. Të jetosh sot nga fotografia në këto treva nuk është aspak e lehtë. O duhet t’i bashkangjitesh industrisë që përmenda më lartë, ose të merresh me gjëra të vogla, për të siguruar kafshaën e gojës. Evente të fotografisë artistike kemi shumë pak, mund të numërohen në gishta. Për fat të keq, ato kanë mbetur si e vetmja mbështetje për fotografët që merren me art.
1 Comment