Shkurtohen financat e partive nga buxheti, mjetet ridestinohen për menaxhimin e krizës me virusin

Partitë politike nuk e kundërshtojnë vendimin e mbrëmshëm qeveritar me të cilin iu shkurtohet buxheti vjetor për 4 milion euro, mjete këto që Qeveria do t’i shfrytëzojë për t’u përballur me pasojat e pandemisë. Në vend të 320 milion denarëve, partive do t’iu ndahen rreth 71,5 milion denarë.

Кy vendim është i përshtatshëm për situatën e krizës në të cilën ndodhet shteti shkaku i pandemisë, ndonëse vlerësojmë se vendimi është mbase i vonuar. Do të ishte shumë më produktive nëse ky vendim do të merrej qysh në mars – tha Antonio Milloshovski, VMDO DPMNE.

Pas një koordinimi mes treshes së madhe të partive politike, u dakorduam që të zvogëlohet vlera e obligimit financiar që ka shteti ndaj partive politike, për rreth 70% në shenjë të solidarizimit në menaxhimin e pandemisë, COVID 19 – thonë nga BDI-ja.

Ato janë mjete të cilat ne i shfrytëzojmë për funskionim brenda një viti, normalisht se do të jetë e vështirë mirëpo si parti politike në rrethana të cilat jetojnë e që na imponohet situata shëndetësore nuk mund të themi asgjë më shumë e më pak, por e cilësojmë si një veprim të drejtë – u shpreh Arianit Hoxha, Lëvizja Besa.

Propozimi ishte i Ministrisë së Drejtësisë kurse në opinion ka pasur mjaftë kritika se në vend të mjeteve për partitë politike, shteti fillimisht shkurtoi mjete të tjera nga buxheti, për të menaxhuar krizën./Alsat