Shkëlqimi dhe zvetënimi i milionerëve të pushtetit!

Shkruan: Medai Shaholli 

Milioneri Zajko, tashmë i dorëhequr nga posti i premierit dhe liderit të partisë, pritet që javën tjetër të zëvëndësohet nga një tjetër milioner nga banda e titistëve të rinj të SDSM-së.
Gjithkush që do të vij në krye të guvernës sonë të dashur ‘Severna’ për ne shqiptarët do të mbetet një despot që do të vazhdojë të ruaj supremacinë sllavo-maqedone të shtetit dhe pushtetit mbi shqiptarët, duke ruajtur paprekshmërinë e kushtetutës që ruan dhe favorizon vetëm një komb sllav.

Ata do vazhdojnë të mbajnë me fanatizëm të gjitha pushtetet e ‘dërzhavës’ veç atyre me vendim të posaçëm si fasadë për konsum të jashtëm siç është kryeparlamentari, një servil i përbetur i tyre, ndërsa pushtetet e tjera mbahen fuqishëm përmes kushtetutës dhe ligjeve arbitrare që ata kanë miratuar së bashku me puthadorët shqiptar duke ruajtur supremacinë e shtetit dhe pushtetit vetëm për ta.
Përzgjedhja e një Kovaçevski apo një tjetër ‘ski’ në krye të SDSM-së dhe të guvernës, janë vetëm vazhdimësi e një politike të një mentaliteti despotik anti shqiptar dhe shoven të pabarazisë mbi shqiptarët dhe të tjerët që ka dominuar skenën politike në ‘Severnën’ tonë të dashur të paktën që nga vendosja e sistemit të demonkracisë e deri më sot.

Liderët tanë politik të gjithë papërjashtim u janë nënshtruar pushtetit sllavo-maqedon duke miratuar çdo ligj që kanë kërkuar ata në shërbim të posteve dhe leverdive financiare.
Miratimi i kushtetutës shovene dy vjet më parë, i shte një tregues sesi u shitën dhe u blenë liderët tanë për para në miratimin e saj, ku nofka e 20% ngeli si gur varri për t’i denigruar shqiptarët si popull pa gjuhë dhe pa identitet.
Kjo është njolla e tradhtisë së pafalshme që liderët shqiptarë i bënë kombit tonë me nofkën e turpit ‘të 20%’ në atë kushtetutë të milionerit Zajko që bleu me para servilët tanë.

Kështu, milionerët sllavo-maqedonë ikin dhe vijnë ndërsa supremacia e tyre ndaj shtetit dhe pushtetit nuk ndryshon. As kushtetuta nuk ndryshon, sepse për ta ndryshuar atë duhen të paktën 80 vota, gjë që partitë shqiptare nuk i mbledhin dot pasi blloku sllavo-maqedon nuk pranon as të diskutoj në lidhje me barazinë e statusit të barabartë të shqiptarëve në ‘drzhavën tonë Severna’.

Si milioneri Zajko ashtu edhe miliarderi i arratisur Grujo, kurrë nuk pranuan të diskutonin për çështjen e barazisë me shqiptarët pasi ata e quajnë një tabu që nuk duhet hapur kurrë ‘Kutia e Pandorës’ apo thënë ndryshe, një ndryshim i kushtetutës që barazon statusin juridik të shqiptarëve me sllavët është një sakrilegj që i bëhet kështetutës.

Ndaj, shqiptarët s’kanë pse t’i gëzohen një milioneri që ikën dhe një tjetër që vjen përderisa ata nuk ndryshojnë nga egonacionalizmi i tyre për të ruajtur supremacinë ndaj shtetit dhe pushtetit vetëm nga elita e tyre dhe jo ta ndajnë me shqiptarët që duhet të jetë komb i barabartë për nga statusi juridik dhe nga barazia e plotë me ta.